Ai qëllon dy herë në drejtim të të dashurës së tij dhe më pas kreu vetëvrasje . Ngjarja tronditëse ndodhi mbrëmjen e djeshme, në një apartament në provincën e Barit, në Cassano. 21-vjeçari me origjinë shqiptare është vetëvrarë, pasi tentoi të vriste partneren e tij.
Lamia Elamri, 18-vjeçarja viktimë e tërbimit vrastar të bashkëshortit, besohet se e ka kaluar rrezikun për jetën, kurse bashkëshorti i saj Oltjon Sallaku, pas këtij gjesti vendosi të vetëvritet (çifti dhe fëmija e tyre në foto).
Oltjoni punonte si riparues çatish në Bari dhe cilësohej nga të gjithë si një djalë i mirë. Një mik tregon se e kishte takuar pak para gjestit fatal dhe ai dukej i qetë. Çfarë ndodhi kur ai hyri në shtëpi? Dhe pse ai, i përshkruar si një djalë i mirë, mbante me vete një armë? Ka ende shumë pikëpyetje që duhet të marrin përgjigje, sigurisht nga hetimet.
Gjendja e nënës së re 18-vjeçare, me kombësi marokene, mbetet e rëndë, por e qëndrueshme. Ajo u plagos mbrëmjen e djeshme nga dy të shtëna me armë në gjoks, kurse Oltjoni më pas kreu vetëvrasje duke qëlluar veten me një plumb në kokë. Gruaja ndodhet në repartin e reanimacionit në Poliklinikën e Barit, pasi i është nënshtruar drenazhit të gjoksit. Ajo është intubuar dhe gjendja e saj do të monitorohet vazhdimisht nga mjekët dhe infermierët.
Plagosja ndodhi dje, rreth orës shtatë e gjysmë të mbrëmjes, në apartamentin kun ata banonin, në Bari. Ndoshta një mosmarrëveshje e çastit çoi në aktin e të çmendur të shqiptarit, Vajza e çiftit, pak më shumë se një vjeç, në momentin e tragjedisë nuk ndodhej në shtëpi, pasi ishte çuar te gjyshërit nga nëna.
Hetimet, të koordinuara nga prokurori i Barit, Alessandro Pesce, pritet të zbardhin motivin e ngjarjes së rëndë.
“Komuniteti i Cassano është i tronditur. Ne ende nuk dimë shumë sepse hetimet vazhdojnë, por Bashkia nuk kishte asnjë raport për situatën kritike të tyren”, tha kryetari i bashkisë Cassano Delle Murge, Davide Del Re. “Mendimet e mia në këto orë – shtoi kryebashkiaku – shkojnë tek jeta e humbur, tek e reja e plagosur dhe tek vajza e tyre shumë e vogël”.