Anders Holch Povlsen humbi sot tre nga katër fëmijët e tij nga një seri bombash që shpërthyen të dielën në Sri Lanka, teksa ndodheshin me pushime për Pashkë.
Por kush është Anders Holch Povlsen?
Anders Holch Povlsen, 46 vjeç, është drejtuesi ekzekutiv dhe i vetëm i Bestseller, aksionari më i madh i dyqanit online të veshjeve britanike Asos.com, aksionari i dytë më i madh i firmës gjermane Zalando, zotërues i dyqanit ushqimor Nemling në internet, si dhe pronar i kompanisë së pagesave Klarna.
E teksa përfiton në Bestseller një qarkullim parash prej rreth 3 miliardë paund, miliarderi danez konsiderohet si pronari më i madh i tokave në Skoci; ai zotëron 12 prona, duke përfshirë Glenfeshie në Cairngorms, që arrin më shumë se 220,000 hektarë.
Mediat e huaja shkruajnë se Holch Povlsen është një ambientalist i prirur, ndërkohë që vetë ai e ka cilësuar angazhimin e tij si “projekt të ruajtjes së shkallës së peisazhit”.“Është një projekt i cili do të sjellë fryte jo vetëm për fëmijët tanë, por edhe për gjeneratat e vizitorëve, të cilët, si ne, ndiejnë një përzemërsi të thellë për malësorët skocezë”– është shprehur Holch Povlsen dhe bashkëshortja e tij Anne. Në një intervistë të realizuar së fundmi me “The Times”, ata pohuan se vizioni i tyre për tokën do t’u besohej katër fëmijëve të tyre.
Holch Povlsen vjen nga prindër të cilët e hapën dyqanin e parë të familjes në qytetin e vogël danez Ringkobing në vitin 1975. Ai e mori përsipër biznesin familjar në moshën 28-vjeçare dhe Bestseller shet tani rroba nën 11 emra markash, përfshirë këtu Jack & Jones, Only dhe Vero Moda.