Nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Deklarata e kreut të qeverisë greke, Alexis Tsipras, kundër sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj Rusisë, shihet si nisja e një kursi konfrontimi me BE-në.
Por si e ka pritur Bashkimi Europian këtë deklaratë?
Duket se deri më tani nuk ka ndonjë shqetësim.
Bild shkruan se burime diplomatike thonë se kjo deklaratë do të respektohet.
BE ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të konfliktit në Ukrainë. Ata akuzojnë Moskën se po mbështet rebelët pro- rusë.
Ndërkohë të enjten do ketë sërish një takim të ministrave të Jashtëm të BE, të cilët mund të vendosin për sanksione të reja ndaj Rusisë.
Se çfarë mendon Tsipras për Ukrainën, ai e ka bërë të qartë në një intervistë, raporton Bild.
Gjatë saj, ai u distancua nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht në Kiev, madje e krahasoi atë me nazistët.
“Ky është një hap prapa për ne, që fashizmi dhe neonazizmi përkrahet dhe njihet edhe nga qeveritë e BE,” deklaroi ai.
Sanksionet e mëtejshme ndaj Rusisë, vetëm do e dëmtojnë Europën, tha Tsipras.