Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka paralajmëruar një vendim të qeverisë se do të rritet çmimi i energjisë për të gjithë ato familje që harxhojnë më shumë se 700 kilovat/ orë në muaj.
“Nuk i ndajmë dot në të pasur e të varfër, por përdorues me sasi të mëdha të kilovatorëve. Ne jemi në përfundim të një analize e studimi që tregon sesa i duhen një familjeje për të pasur një konsum normal. Duke pasur analizën se cila konsiderohet sasi normale çdo kilovat/orë do të faturohet pa subvencione nga qeveria.
Të gjitha analizat na çojnë në fashën 700 kilovat/orë që konsiderohet një konsum normal për një familje me 4-5 anëtarë. Mbi këtë fashë do të paguhet me çmim më të lartë. Ne nuk i ndalojmë dot qytetarët që të ndriçojnë”, tha Balluku, pas mbledhjes së qeverisë, kur u pyet në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama në Kongres për çmimin e energjisë.