36 persona janë arrestuar pak ditë më parë nga Policia e Shtetit, si pjesë e një grupi kriminal që trafikonin emigrant nga Shqipëria drejt SHBA-së dhe Kanadasë.
20 mijë euro paguhej për të marrë një vizë të falsifikuar për në Kanada, ndërkohë që për në SHBA pagesat varjonin nga 15-20 mijë dollar.
Gazeta Mapo ka arritur të sigurojë dosjen e plotë hetimore, ku rezultojnë se krerët e këtij grupi kriminal ishin Alfred Myrtaj, Gentjan Stojku, Albert Xhelili dhe Ilir Myrtaj, të cilët bashkëpunonin me njëri-tjetrin për të dërguar emigrant në SHBA dhe Kanada. Përveç shqiptarëve, ky grup kriminal merrte përsipër edhe trafikimin e emigrantëve nga Lindja e Mesme, por edhe shtetas italian.
Nga përgjimet telefonike rezulton se një shkodran me emrin Florjan Hyseni vjen në Tiranë dhe takon Albert Xhelilin, ku i kërkon një pasaportë të falsifikuar për një italiane me emrin Claudia Ambrogi, por me një fotografi të një vajze nga Shkodra, e cila donte të shkonte në SHBA.
Këtë pasaportë Florjan Hyseni arriti ta merrte dhe gjatë kthimit për në Shkodër Policia e ndaloi. Uniformat Blu pasi kontrolluan pasaportën e falsifikuar ia kthyen përsëri mbrapsht atij, për të mos rënë në sy të operacionit që po zhvillohej.
Me këtë pasaportë të falsifikuar sipas Prokurorisë, u ndalua në një shtet të huaj një vajzë e re dhe nuk u lejua të udhëtonte drejt SHBA-së.
I njëjti mekanizëm është përdorur edhe për një vajzë tjetër me inicialet V.M nga Shkodra e cila donte të ikte tek i fejuari në SHBA.
36 personat e arrestuar në operacionin “Rruga e gabuar”
- Dritan Gramozi
- Arjan Shehu
- Simon Këri
- Petraq Beqiraj
- Edison Shehu
- Zamira Xhafaj
- Bedri Meta
- Aleksia Kamaj
- Gjergji Mëzuraj
- Shuaip Shero
- Rezart Hoxha
- Dashamir Seferi
- Leonard Markaj
- Astrit Ziguri
- Edmond Omeri
- Kostaq Gjoka
- Arben Danglli
- Dashnor Tafani
- Françesk Meta
- Enver Muka
- Besnik Hoxha
- Çajup Tefa
- Vejsel Gjolleshi
- Marlen Shoshaj
- Afrim Emini
- Ermal Mema
- Avni Lezaj
- Ilia Margo
- Sefer Çelo
- Janaq Gramozi
- Mentor Mici
- Vangjel Gramozi
- Idi Mita
- Mehmet Cani
- Erlis Shehu
- Elmas Bilbili (punonjës policie)
Njoftimi Policisë
Operacioni policor “Rruga e gabuar”, goditet grupi kriminal me 36 anëtarë të dyshuar. Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë dhe organet e tjera ligj zbatuese në vend, si dhe me ndihmën e agjentëve të Sigurisë së Shërbimit Diplomatik të atashuar në Ambasadën Amerikane (DSS), finalizuan me sukses operacionin e koduar “Rruga e gabuar”. Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 32 shtetas shqiptarë, mes tyre 1 punonjës policie, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas të tjerë. Nga të arrestuarit 6 prej tyre me masë sigurie “Arrest shtëpie”. Ndërkohë u zbuluan e sekuestruan 4 laboratorë në Shqipëri që shërbenin për falsifikimin e dokumenteve, pajisje të ndryshme si skaner, fotokopje, një sasi e madhe parash cash, certifikata, karta identiteti, një numër i konsiderueshëm dokumentash të personave si dhe një armë zjarri automatik.
Në koordinim të plotë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda u kryen ndalimet për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal, të kryer në bashkëpunim”.