Sipas përkufizimit të fjalës “nder” nga enciklopedia frënge Larus, nderi është konsiderimi, fama, lavdia, që i shkon dikujt të cilit i njihen dhe i pranohen kuraja, meritat, vlerat, talenti. Ndërkohë përkufizimi i togfjalëshit “nder i kombit” mbetet pak a shumë ai i mësipërmi në të gjitha gjuhët. Pra, Nder i Kombit është dikush që ka kontribuar që kuraja, meritat, vlerat dhe talenti i tij individual të shërbejnë për të lartësuar emrin e kombit të vet.
Si duhet të arsyetojmë për dikë që nderohet me titullin “nderi i kombit” përveçse mbi bazë të këtij përkufizimi? Presidentë të ndryshëm kanë pikëpamjen e tyre për atë që duhet të nderohet me një titull kaq të lartë, e njëri ka dekoruar më shumë, e një tjetër më pak. Kështu ka qenë që në kohët e mbretërve: ata sipas bindjes së tyre vendosnin se kë do të dekoronin. Dhe përfundimi dihet: asnjëherë s’do të kënaqen të gjithë, aq më shumë rivalët e të dekoruarve.
Atëherë lind pyetja: a ishte Behgjet Pacolli personazh për t’u nderuar me një dekoratë tillë? E për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje po ndalem në disa momente: kthehem pas në kohë, në një ceremoni të vjetër të dekorimit të Behgjetit në universitetin ku unë ndiqja studimet. Së dyti, si ndjekëse e vëmendshme e facebook-ut të Behgjetit, më bënë përshtypje këto gjykime të kryeministrit Rama për të. “Kjo është hera e parë që flitet për Behgjet Pacollin, jo vetëm si një milioner i radhës i ngarkuar me hijet e dyshimta të së shkuarës që vjen për të zhvatur nëpërmjet politikës komunitetin e vet, por si një njeri që zbret nga një majë shumë e lartë suksesi në fshatin e vet, për t’i dhënë atij pak nga suksesi i tij. “Ndërkohë që dhe vetë Berisha, që shumë rrallë lavdëron njeri, i tha Behgjetit, se “ti iu afrove politikës si njeri i suksesit në biznes. Dhe duke bërë këtë, i shërbeve kombit në të gjithë kohërat”.
E ndërsa Shqipëria e ka nderuar Behgjetin, Kosova jo. E kanë nderuar të gjithë krahët dhe të gjithë bashkohen në një pikë: eksperienca si biznesmen që e lidh atë me suksesin është çast krenarie për shqiptarët. Atëherë, si shpjegohet që Kosova nuk e nderon? A mos vallë Behgjeti ka bëri gabim që i hyri politikës. Me siguri që po të mos i ishte futur politikës, nuk do ta sulmonin kaq shumë mediat apo klane të caktuara. Për një gjë jam e bindur: po të kishte qenë në Shqipëri dhe me këtë vazhdë suksesi nga pas t’i kishte hyrë karrierës politike, do ta kishin sulmuar edhe më keq sesa në Kosovë. Dhe pikërisht këtu qëndron vërtetësia në vlerësimin që Shqipëria i bëri Behgjet Pacollit: nuk ka interesa në vlerësimin e tij. Ai është dikushi nga larg, që nuk përbën rrezik për politikanët tanë.
Kjo është arsyeja pse unë nga Shqipëria, filtroj gjithçka thuhet për Pacollin në Kosovë. Ma do mendja se rreth tij qarkullon ndonjë gazetar parazit që e sulmon me shpresën se në një moment ai do lodhet e do paguajë. Sikurse ka edhe nga ata cmirësa, të parealizuar në jetë, që vetëkënaqen duke sulmuar personazhe të mëdhenj. Apo sikurse ka edhe nga ata gazetarë të tjerë që nuk guxojnë ta lavdërojnë nga frika se do mendohet se janë të paguar prej tij. Të jesh njeriu më i pasur i trojeve shqiptare, na qenkërka problem. Por unë i rrëzoj shumë thjesht këto hamendësime të blerjes së gazetarëve apo të titujve: nëse do ishte kaq blerës i madh, pse nuk blen postin e presidentit, të ndonjë deputeti, aq sa i duhen dymijë vota për të hyrë në parlament? Apo gjëra të tilla nuk ndodhin në dy shtetet tona ?
Për mua, Pacolli është dikushi që vërtet e meriton dekorimin. Ai ka bërë që të flitet mirë për kombin tim kudo në botë, me sukseset e tij, me fitoret dhe me kontributin në operacionet humanitare, me lobimin për pranimin e Kosovës si shtet i mëvetshëm dhe pastaj për pranimin e shtetësisë së saj.
Unë jam ekonomiste dhe si e tillë, gjithë këto polemika rreth figurës së Pacollit i shoh nga këndvështrimi i biznesit. Ditët e fundit kam lexuar shkrime të ndryshme në lidhje me nderimin që iu bë ish-presidentit të Kosovës, këtij sipërmarrësi të madh shqiptar me famë botërore. Në fakt, shumica prej tyre janë sulme që i bëhen njeriut, që për brezin tim është modeli më i arrirë i punës dhe suksesit. Për shembull, risillen si argument akuzat që i janë bërë atij nga shtypi rus. Është normale që po të fitosh tenderin për rindërtimin e Kremlinit, do bësh shumë armiq. Duke qenë një tender ndërkombëtar me vlera afro miliardëshe, armiqtë kanë qenë rusë por edhe jo-rusë, të cilët më pas janë ekspozuar në media të ndryshme. Taktika e sulmit nga rivalët e tenderave është një formulë klasike dhe e njohur tashmë. Që tenderat manipulohen kudo qoftë edhe në vendet më demokratike, për këtë nuk ka pikë dyshimi dhe për rrjedhojë ajo që mbetet prej tenderave janë veprat konkrete, rindërtimi i Kremlinit si një mrekulli e botës, apo themelimi i kryeqytetit të Kazakistani, ku Pacolli ka gjurmën e vet të pakthyeshme në histori.
Brenda kësaj amullie akuzash ka që e lidhin me Jelcinin, dhe për pasojë me Rusinë. Këtu s’ka asgjë për t’u çuditur e as vend për dyshime. Mjafton të lexosh librin e vet “Nga Sfida në sfidë” dhe aty tregohet gjithçka për miqësinë e tij me Jelcinin dhe si ai largoi biznesin e vet nga Rusia me ardhjen e Putinit. Jelcini nuk është Putini: Jelcini, presidenti më proamerikan i Rusisë pranoi bombardimin e Serbisë dhe rrëzimin e Millosheviçit, dhe me të s’do të ndodhte kurrë kjo që po ndodh në Ukrainë. Madje ai e legalizoi dhurimin e Krimesë Ukrainës!! Për më shumë, mjafton të lexohet se çfarë thotë ish-presidenti Klinton për Jelcinin si mik i SHBA-së, për të injoruar përrallat e fshatit të Behgjetit.
Në disa shkrime kritikohet presidenti Nishani për dekorimin. Kur ai dekoron dikë që i përket krahut të djathtë, ai sulmohet nga krahu i majtë dhe në ceremoni marrin pjesë vetëm krahu i djathtë. E anasjella prapë, përsëritet historia: sulmohet nga të djathtët, dhe ata bojkotojnë ceremoninë. Po ç’duhet të themi për ceremoninë e fundit ku morën pjesë të dy krahët? A mos vallë Kosova kësaj here po i mëson vendit tonë sesi të sillet me figurat e shquara të historisë që vijnë nga dheu i saj? Mbi ç’bazë? Të interesave politike lokale? Të inateve personale të atyre që e sulmojnë? Apo të një këndvështrimi të kufizuar krahinor, provincial? Ne do mësojmë shumë prej Kosovës, sikurse dhe Kosova duhet të mësojë prej nesh.
Doktorante UET
MA Ekonomi Politike, Montpellier France