Aktualitet

Kush përplasi policët në Elbasan? Dëshmia e biznesmenit Petrit Çela














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:57 - 09/05/19 |
ro ot

Gjykata për Krime të Rënda dëgjoi dëshminë e biznesmenit Petrit Çela, pronar i tregut ushqimor në Elbasan në lidhje me ngjarjen e rëndë, kur një Audi i blinduar përplasi makinën e zv/ drejtorit të policisë në portën hyrëse të tregut. Çela është babai i Suel Çelës, një prej të pandehurve që dyshohet se ishte në drejtimin e Audit të blinduar që përplasi policinë në shtator 2017.






Çela tha se në dijeninë e tij, pas interesimit për ngjarjen, ka mësuar se makinën e ka marrë pa leje Enea Bekteshi. “Unë jam interesuar pas ngjarjes dhe nga ajo që kam mësuar, makinën Audi, e ka marrë Bekteshi”, tha biznesmeni, i cili shtoi se nuk e ka takuar më atë dhe se që prej asaj kohe e ka larguar edhe nga puna.


Në dëshminë e tij, biznesmeni Çela tha se policia në asnjë moment nuk e vuri në dijeni të asaj që ndodhi, ndërsa ngriti dyshime se policia ka qëlluar në drejtim të makinës dhe se ai ka parë shenja plumbash, raporton Panorama.










I pyetur në lidhje me djalin e tij, biznesmeni, tha se Marjus Lulaj, i njohur edhe si Suel Çela, nuk ka qenë i pranishëm atë ditë te tregu, ndërsa prej kohësh jetonte i ndarë, më vete dhe nuk kishte dijeni se ku ishte djali i tij në atë moment, pasi nuk ka kontaktuar me të. Gjatë seancës së sotme dhanë dëshminë e tyre edhe dy punonjës të policisë, të pranishëm në vendin e ngjarjes që kanë treguar për përplasjen.



HETIMET

Mesditën e 18 Shtatorit 2017, patrullat e Policisë kishin dalë për verifikim automjetesh dhe personash në lidhje me një sinjalizim të bërë nga një shtetas, se në tunelin e Kërrabës, 3 automjete i kishin bërë manovra në rrugë, ndërsa në një prej makinave, një person i kishte drejtuar një objekt si pistoletë. Këtë situatë, ky shtetas e kishte marrë si kanosje, tha prokurori.

Gjatë kontrolleve të kryera përpara tregut ushqimor, Policia kishte vënë re një makinë “Range Rover”, e ngjashme me përshkrimet e bëra nga personi. Policia i ka bërë me shenjë që të ndalonte dhe personave brenda që të dilnin. Njëri prej këtyre personave ka dalë dhe ka shkuar në drejtim të rojës së tregut për t’i dhënë diçka, veprim të cilin Policia ia kishte ndaluar. Si pasagjerë në këtë automjet ka qenë Endri Çopja dhe një person tjetër, që kanë refuzuar të shoqërohen në Polici.

Gjatë kësaj kohe, në këtë vend janë mbledhur forca të shumta Policie dhe pas disa minutash, vërehet një makinë tip “Audi”, që bën manovra. Nga kamerat e sigurisë shihet që makina “Audi” bën tentativë për t’u futur në tregun ushqimor dhe gjatë kësaj tentative prek makinën e Policisë, e cila shtyhet disa metra më tutje. Në makinë ndodhej n/drejtori i policisë së Elbasanit, Gjergji Oshafi. Ndërkohë, policët e pranishëm aty, nga pamjet duken që vetëm qëllojnë në ajër. Ndërkohë, pavarësisht kërkesave për të hapur derën e tregut, ajo është hapur me vonesë dhe vetëm pasi ka marrë dijeni shtetasi Petrit Çela, pronar i tij, i cili ka urdhëruar hapjen e portës.

Vendi është rrethuar nga forca policie të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe është bërë ndërhyrja dhe sekuestrimi i makinës dhe objekteve të gjetura aty. Ndërkohë, sipas Prokurorisë, në bordin e makinës “Audi” ka qenë Enea Bekteshi dhe Marjus Lulaj(Suel Çela), që tentuan të vrisnin punonjësit e Policisë.

*Pamjet e perplasjes

1


Etiketa: , , ,

Pas