Ministrja e Arsimit Evis Kushi, teksa ka uruar nxënësit në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, ka folur edhe për mbylljen e shkollave.
Në një postim në Facebook,Kushi shkruan se shkollat u mbyllën për shkak të kujdesit që po tregohet për nxënësit dhe mësuesit, jo vetëm brenda ambienteve të shkollës, por edhe jashtë saj, nga rreziqet për shkak të ngricave dhe dëborës.
Më tej, Kushi thotë se të gjithëduhet të punojnë për transformimin e arsimit, për ta bërë më cilësor, ashtu si edhe koha që jetojmë e kërkon.
“Le të jemi më ambiciozë dhe të punojmë së bashku që në Shqipërinë e vitit 2030, pse jo, nxënësit shqiptarë ta kenë arsimin e detyruar edhe në shkollën e mesme, deri në moshën 18 vjeçare. Ky do të ishte investimi më i mirë për të ardhmen e tyre dhe zhvillimin e Shqipërisë tonë të dashur”, shkruan Ministrja.
Mesazhi i ministres Kushi në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit!
Të dashur miq,
Siç thotë Aristoteli, Arsimi është stoli në kohë të mira, dhe strehë në kohë të vështira.
Edhe pse do të doja që urimi im sot për Ditën Ndërkombëtare të Arsimit t’i gjente nxënësit dhe mësuesit në shkolla, kushtet atmosferike na detyruan të ndërpresim për pak ditë procesin mësimor, në të mirë të shëndetit dhe sigurisë së tyre.
Sepse ne kujdesemi jo vetëm për sigurinë e tyre brenda mureve të shkollës, por edhe për rreziqet që vijnë nga ngricat, dëbora apo të ftohtët gjatë rrugës deri shkollë.
Kombet e Bashkuara konfirmuan përsëri para pak ditësh se pandemia e Covid-19, që nga momenti kur u shfaq për herë të parë, e ka futur në kaos arsimin në të gjithë botën, duke ndikuar rreth 1.6 miliardë nxënës e studentë. Ndërkohë që teknologjia dhe shumë fusha të tjera të jetës vazhdimisht po pësojnë transformime rrënjësore.
E për t’u përshtatur më mirë me kohën, pa dyshim që arsimi bashkëkohor është një domosdoshmëri. Prandaj OKB këtë vit si temë për arsimin ka zgjedhur “Ndryshimi i Drejtimit, Transformimi i Arsimit” (Changing Course, Transforming Education).
Synimi ynë është që t’u sigurojmë nxënësve dhe mësuesve tanë jo vetëm kushte sa më të mira, por edhe metodat më bashkëkohore të mësimdhënies, përshtatur me nevojat që kërkon sot koha dhe tregu.
Ky transformim i arsimit përkon edhe me vizionin tonë mjaft sfidues për Shqipërinë e vitit 2030, për një arsim sa më cilësor në shkolla dhe universitete, në përputhje me nevojat e reja të shekullit 21.
Le të jemi më ambiciozë dhe të punojmë së bashku që në Shqipërinë e vitit 2030, pse jo, nxënësit shqiptarë ta kenë arsimin e detyruar edhe në shkollën e mesme, deri në moshën 18 vjeçare. Ky do të ishte investimi më i mirë për të ardhmen e tyre dhe zhvillimin e Shqipërisë tonë të dashur.
Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Arsimit!