Kreu i PD në fjalën e tij përpara anëtarëve të Këshillit Kombëtar tha se, ndryshimet që u bënë në vitin 2008 nuk i përgjigjen nevojës për ndryshim. Për të ndërhyrë në Kushtetutë duhen 84 vota, nga të cilat opozita së bashku me LSI kanë vetëm 63. Në këto kushte, marrëveshja me mazhorancën është e domosdoshme, pavarësisht se Basha shprehet se ky do jetë reflektim i përbashkët i opozitës dhe grupeve të interesit. Si e ndryshuan sistemin PD-PS dhe çfarë e detyroi kryeministrin e kohës Berisha të pranonte propozimet e Ramës
Partia Demokratike ka pranuar se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 kanë qenë një gabim, dhe ato duhen ndryshuar. Kreu Lulzim Basha e bëri këtë pohim në fjalën e tij dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ku u votua për sekretariatet, forumet drejtuese të partisë apo dhe ndarjen e deputetëve në komisionet parlamentare. Basha tha se ndryshimet e atij viti, nuk i përshtaten më nevojës për ndryshim, dhe se PD në bashkëpunim me grupe të ndryshime interesi do të punojë për ndryshime të tjera. Në fakt, për ndryshimet kushtetuese më së pari Bashës i duhet të bëjë marrëveshje me PS dhe Kryeministrin Rama, pasi që të ndryshosh nenet e Kushtetutës duhet të kesh më së paku 84 vota.
Aktualisht PD ka 59 vende në parlament ndërsa LSI 4 vende gjithsej 63 vota. Është tashmë e qartë që ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore që duhet të vijnë si një reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një demokraci funksionale”, -tha Basha.
Presidenti
Por teoria e përfshirjes së grupeve të interesit ngjan paksa utopike. Kushtetuta është ndryshuar së paku katër herë që nga miratimi i saj, dhe thuajse gjithmonë ka kërkuar marrëveshje. Ndryshimet e 21 prillit 2008, erdhën pas shpërthimit që ndodhi më 15 mars në Gërdec dhe në atë vit ato morën 115 vota të PD-PS dhe vetëm 15 kundër. Ndryshimi i sistemit zgjedhor ishte një propozim i Edi Ramës, i cili u përshëndet dhe nga kryeministri i kohës Sali Berisha, që ishte në pozitë të vështirë për shkak të ngjarjes së ndodhur në afërsi të Vorës. Por përpos kodit këto ndryshime sollën dhe ndryshime të tjera, ku ulën koptencat e presidentit dhe duke i dhënë akoma më shumë fuqi kryeminstrit.
Ndryshimet që pasuan kishin të bënin me votat që duheshin për të zgjedhur presidentin madje iniciatore e tyre ishte vetë PD. Arenca Trashani, relatorja e atëhershme e amendimit të neneve 87, 88 dhe 93 të Kushtetutës që përcaktonin mënyrën e zgjedhjes së kreut të shtetit, tha se mënyra e re e zgjedhjes do eleminonte “krizat e kota” që mund të sillte kjo proçedurë. Kushtetuta e miratuar me referendum në vitin 1998 kërkonte 94 vota për zgjedhjen e presidentit, ose në të kundërt vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme. Nenet e reja përcaktojnë që në raundin e pestë presidenti mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë votash. Gjithashtu ndryshime u bënë dhe në nenet që flasin për zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm.
Sistemi
Por ndërhyrjet në Kushtetutë sollën dhe atë çka është më e rëndësishme, ndryshimin e sistemit zgjedhor. Deri më atë kohë zgjedhjet zhvillohen me sistemin mazhoritar dhe proporcional. Pra për 100 vende në parlament garohej në 100 zona, ndërsa 40 ndenjëse të tjera vinin nga sistemi proporcional. Duhet theksuar se kjo mënyrë zgjedhjeje e deputetëve u jepte atyre shumë më tepër liri se me sistemin aktual.
Kryetari i partisë duhej të mendohej mirë përpara se ta linte një person me influencë jashtë listës së përzgjedhjes. Aso kohe në fakt kjo i erdhi më shumë për shtat Edi Ramës, i cili ishte në luftë me të vetët për të spastruar partinë, por edhe për t’i dhënë një goditje partisë së Ilir Metës, e cila me një sistem të pastër proporcional të ndarë në rajone do humbiste shumë nga fuqia e saj. Gjithsesi pavarësisht ndryshimeve të asaj kohe, sërish Rama nuk mundi t’i fitonte zgjedhjet e vitit 2009. LSI së bashku me disa parti të tjera të vogla i kundërshtuan fort ndryshimet e ardhura nga dy partitë e mëdha, madje shkuan deri aty sa u futën në një grevë urie brenda ambienteve të parlamentit.
Voton këshilli, ja ekipi i ri i Bashës për katër vitet e ardhshme në opozitë
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar dje propozimet e Lulzim Bashës për ekipin e ri me të cilin do të drejtojë opozitën për 4 vitet e ardhshme. Partia Demokratike do të ketë 4 nënkryetarë. E ndërsa Edmond Spaho largohet nga çdo drejtim brenda partisë duke qëndruar deputet i thjeshtë, Edi Paloka zë vendin e Bujar Nishanit në krye të Këshillit Kombëtar. Në listë ka shumë të larguar nga mandati i dytë i Lulzim Bashës në krye të PD-së 2017-2021 duke u zëvendësuar me rinj në postet drejtuese të strukturave të partisë nga sekretariatet te komisionet parlamentare.
EKIPI i RI i LULZIM BASHËS
Katër n/kryetar
Jorida Tabaku
Grida Duma
Alfred Rushaj
Enkelejd Alibeaj
Kryetari i grupit të PD-së
Alfred Rushaj
Grupi do të ketë dy nënkryetarë
Ervin Salianji dhe Luçiano Boçi
Nënkryetar i Kuvendit
Enkelejd Alibeaj
Sekretari i Përgjithshëm i PD
Gazment Bardhi
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike
Edi Paloka
Kryetare e Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës
Flutura Açka
Kryetari i Komisionit Zgjedhor
Jemin Gjana
Sekretare për Pronarët dhe çështjet e pronave
Ledina Mandia
Sekretare për të Përndjekurit Politikë
Jonila Godole
Sekretariati për Klimën e Biznesit
Flamur Hoxha
Sekretariati për votën e emigrantëve
Belind Këlliçi
Sekretare për Organizatat Partnere
Oriela Nebiaj
Sekretariati i Burimeve Njerëzore
Arta Sakja
Sekretariati i Marrëdhënieve me Publikun
Greta Bardeli
Sekretari Organizativ
Ervin Minarolli
Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore
Ivi Kaso
Sekretariati i Koordinimit Elektoral
Taulant Zeneli
Sekretariati i Organizimit Dixhital
Endri Hasa
Kryetare e Fondacionit për Liri dhe Demokraci
Enriketa Papa
Zëdhënësi i Grupit
Orjola Pampuri
Sekretari i Grupit Parlamentar
Arbi Agalliu
Deputetët janë ndarë në 8 komisone ku drejtimi nga ana e PD i është besuar:
Komisioni për Integrimin Europian
Jorida Tabaku
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik
Agron Gjekmarkaj
Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë
Albana Vokshi
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut
Oerd Bylykbashi
Komisioni për Ekonominë dhe Financat
Sorina Koti
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin
Helidon Bushati
Komisioni për Sigurinë Kombëtare
Flamur Noka
Komisioni për Politikën e Jashtme
Tomorr Alizoti