Pas ndërprerjes për herë të tretë të seancës, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS, ka vendosur që të ndërpriten diskutimet dhe të kalojnë për votim projekt-ligjet, raportet vjetore të disa institucioneve dhe marrëveshjet e parashikuara në rend të ditës.
Ndërkohë që maxhoranca (me 75 vota) votonte projekt-ligjet, opozita vijoi të mbajë të bllokuar foltoren.
Pas miratimit të ligjeve, Ruçi mbylli zyrtarisht punimet, ndërsa opozita ka vijuar fjalën e saj në Kuvend përmes lidhjes me faqen e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha në Facebook.
Më shumë se çfarë thanë, (pasi debati sërish u fokusua tek Xhafaj) interesant ishte fakti se sa ndjekës deputetët e opozitës kishin në Facebook në momentin që po flisnin.
Pas Flamur Nokës, fjalën e mori ish-kryeministri Sali Berisha.
Ky i fundit foli për rreth 10 minuta ndërsa interesant ishte fakti se ai është ndjekur dyfish në faqen zyrtare të Lulzim Bashës sesa në faqen e tij personale në Facebook. Fillimisht ai kishte 343 shikime në faqen e tij në Facebook ndërsa tek faqja e Bashës 640 shikime.
Me kalimin e minutave, shikimet për Berishën në faqen e Bashës në Facebook kanë filluar të ulen ndërsa në faqen e tij shikimet kanë mbetur konstante.
Përmes lidhjes në Facebook, Berisha deklaroi se negociatat në 28 qershor nuk do të hapen me qeverisjen e Edi Ramës, ndërsa mbron ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Saimir Tahirin.