Pas rikonfirmimit të tij në krye të PD-së, Lulzim Basha ka thirrur mbledhjen e kryesisë sot, e cila do të vendosë për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të partisë. Kryefjala është analiza e rezultatit të zgjedhjeve. Analiza e Deutsche Welle-s: Fati politik i opozitës – ndarja e Bashës nga Berisha
Partia Demokratike në opozitë për të tretën herë radhazi do të thërrasë Kuvendin Kombëtar të saj në Korrik për të analizuar rezultatin e zgjedhjeve. Kreu i saporikonfirmuar në krye të partisë Lulzim Basha ka thirrur forumet e partisë menjëherë pas zgjedhjeve të brendshme. Kuvendi pritet të miratojë dhe strategjinë e opozitës për 4 vitet në vijim, pozicionimit të kritikëve të Bashës në parti, çfarë do të ndodhë me tre kandidatët për kryetarë që sfiduan Bashën dhe grupimin për PD-në me në krye ish-presidentin Bujar Nishani.
PD ndodhet në një moment të vështirë pas humbjes së zgjedhjeve. Analiza në forumet e larta drejtuese do të përcaktojë nëse ajo do të bëhet më e fortë apo do të përjetojë një përçarje të re në radhët e saj. Duket qartë që duhet ndryshim. Një ndryshim i madh madje. Po nga ana tjetër, mbi Bashën dhe forumet është dhe çështja më e zëshme për momentin, marrëdhënia që duhet të mbajë Basha dhe PD me ish-liderin e saj Sali Berisha. I shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit ai nuk ka preferuar të distancohet nga partia, por përkundrazi ka aluduar për një rikthim aktiv në politikë. Deutsche Welle ka bërë një analizë mbi këtë çështje me titull: “Fati politik i opozitës – ndarja e Bashës nga Berisha”.
Surprizat e verës në kampin blu
Pas humbjes për herë të tretë të zgjedhjeve parlamentare partia më e madhe e opozitës në vend e krijuar si parti e parë e pluralizmit politik ndodhet në një moment të vështirë në historinë e saj. As zgjedhjet e shpejtuara brenda saj për kryetarin e ri nuk e shpëtojnë dot nga analiza e humbjes dhe nga vlimi i grupimeve kundërshtare brenda saj. Surprizat në kampin blu do të shihen këtë verë para nisjes së sesionit të ri parlamentar në shtator. Lëvizjet po dirigjohen nga kryetari Lulzim Basha, i cili ka thirrur ditën e premte kryesinë e PD-së.
Sipas njoftimit të shpërndarë tek anëtarësia e PD-së në rendin e ditës do të jetë analiza e rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit dhe caktimi i rendit të ditës për thirrjen e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar. “Ditën e premte, datë 18 Qershor 2021, ora 11:00, do të zhvillohet mbledhja e Kryesisë së Partisë, me këtë Rend Dite: 1. Miratimi i metodologjisë së analizës në nivel Qarku, Dege, Grupseksioni dhe Seksione për masakrën zgjedhore të 25 Prillit. 2. Thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë më datë 17 Korrik 2021, dhe miratimi i rendit të ditës së Kuvendit”, thuhet në mesazhin e sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi. Procesi i analizimit të rezultatit të zgjedhjeve pritet të zgjasë deri në 17 korrik, ku sipas burimeve në selinë blu pritet që të shpallet gara për të gjitha nivelet drejtuese të Partisë Demokratike duke filluar nga ato më të ulëtat në nivel lokal e deri te kryesia e PD-së dhe sekretariatet.
Kryedemokrati ndodhet përballë një momenti të vështirë me kritikët e tij të brendshëm. Pavarësisht se si ai besohet se ka kontroll mbi forumet kryesore të partisë si kryesia e këshilli kombëtar, nuk do të ishte një gjë e mirë që të lejonte përçarjen e saj kur e pret dhe një 4-vjeçar tjetër në opozitë. Grupimi për PD-në i drejtuar nga ish-presidenti Bujar Nishani, ku bëjnë pjesë themelues si Arben Imami, rivalja e Bashës në garën për kryetar, Edith Harxhi, Arben Ristani etj., kanë deklaruar se do të vijojnë betejën e tyre kundër Bashës. Ky grupim nuk i njohu zgjedhjet për kryetar, ndërsa Bashës i duhet të menaxhojë marrëdhënien dhe me Agron Shehajn, që u konfirmua si rivali kryesor i tij në garë me 15 për qind të votave. Duke qenë se ai është deputet i PD-së, më i votuari pas Bashës në listën e Tiranës, duke e vënë kështu Bashën në dilemë të fortë për marrëdhënien e mëtejshme politike me të.
DW: Fati politik i opozitës – ndarja e Bashës nga Berisha
Lulzim Basha erdhi në krye të PD-së, kur lideri historik i saj, Sali Berisha dha dorëheqjen, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare më 2013. Në tetë vitet e deritanishme të PD-së në opozitë, Basha është perceptuar si një lider nën hijen e atit të tij politik, Berishës. “Ky perceptim do të qëndrojë për sa kohë Lulzim Basha do të vazhdojë të kujdeset që Berisha të mos preket apo të mos zemërohet nga vendimet e tij, derisa Basha të vazhdojë të sillet si administrator i pronës së Berishës dhe jo si lider i një partie të të gjithëve. Mendoj që Berisha nuk ka pasur ndikim të madh në vendimmarrjen e PD-së, por qëndrimet e Bashës, me sytë nga Berisha, frika e Bashës për prishjen e humorit të tij, kanë krijuar perceptimin se pas tij është ish-kryetari historik i PD-së,” thotë për DW, Enton Abilekaj.
Aleksandër Çipa e sheh suksesin e Bashës në ringritjen e PD-së me “çlirimin e tij një orë e më parë nga lideri i saj historik, Berisha”. “Kjo është një çështje serioze. Berisha ka së fundi një protagonizëm të rikthyer për hall vetjak. Pas aktit zyrtar të shpalljes “person i padëshiruar” nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, Berisha ka bërë deklarime për rikthim në krye të PD-së. Ky është shtim i hijes së tij mbi kryet e kryetarit zyrtar të PD-së, Bashës. Berisha mund të bëhet një pengesë serioze për Bashën, përmes ndërhyrjes së dukshme dhe të padukshme në punët e familjes politike, si dhe grupeve brenda PD-së”, thekson Çipa për DW.
Pakënaqësia brenda PD-së ndaj Bashës, fraksionet dhe grupimet brenda saj dhe vendosmëria e tyre për të vazhduar betejën politike kundër tij, parathonë një vjeshtë jo të qetë për PD-në.
“Do të ketë zhvillime në vjeshtë që do të përcaktohen edhe nga pozita dhe gjendja që do të bartë apo do të ketë zoti Berisha pas muajve të parë të mbledhjes së Parlamentit të ri dhe krijimit të qeverisë së re. Problemet e brendshme të PD-së janë shtuar pas zgjedhjeve të kryetarit”, thotë Aleksandër Çipa. Problemet e shtuara parathonë edhe zhvillime të reja potenciale për zgjidhjen e tyre. “Zhvillimet brenda PD-së janë në të mirën e vetë kësaj partie, opozitarizmit dhe shoqërisë. Opozita ka nevojë për një përgjigje të re ndaj qeverisjes së pakontrolluar të Edi Ramës që po shndërrohet në një regjim autokratik. Nëse PD nuk do jetë përgjigjja, atëherë do të gjendet një mjet tjetër, një forcë e re ose një aleancë e re”, thekson për DW, Enton Abilekaj.