Kuvendi fut sërish në rend dite draftin për magjistratët. Çfarë përmban ajo, pse mazhoranca këmbëngul zgjidhjen e ngërçit nga reforma në drejtësi, dhe taktika që do të ndjekë sot PD e LSI për të mos e votuar sërish në Kuvend. Debati për ligjin për Teatrin pritet të marrë zgjidhje në fund të korrikut. Nëse Meta nuk e dekreton, ligji kthehet për rivotim në muajin shtator
Kuvendi pritet të mbyllë sot punimet për këtë sesion parlamentar me disa projektligje që pritet të mbeten pezull ashtu si edhe debati për Teatrin. Sot paradite në rendin e ditës janë parashikuar dy drafte ligjore që minimalisht kërkojnë edhe votat e LSI-së. Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin| “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” që kërkon votim me shumicë prej 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit si dhe projektligji për disa ndryshime në “Kodin rrugor të Republikës së Shqipërisë”. Është e disa-ta herë që dy draftet sa më sipër janë shtyrë për miratim sa kohë që Partia Socialiste nuk po gjen gjuhën e përbashkët me të paktën një nga dy nga partitë opozitës, LSI ndaj të cilës ka pasur një thirrje publike. Prej kohësh, kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla por edhe Vasilika Hysi (vetëm dy ditë më parë) kanë kërkuar konsensusin e opozitës për të kaluar një ligj që i hap rrugë ngërçit të krijuar me reformën në drejtësi. “Vettingu po ecën dhe po ecën shpejt. Brenda korrikut do të kemi rezultate shumë më të mëdha. Nga ana tjetër kemi një grup studentësh të shkëlqyer që dëshirojnë të fillojnë magjistraturën. E dyta, kemi një grup tjetër magjistratësh që presin të fillojnë të punësohen. Nëse ne themi që ne nuk duhet të bllokojmë, ta çojmë sistemin në kolaps, ne duhet të kontribuojmë. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm. Ne duhet tu japim mundësinë të punësohen këtyre magjistratëve ekselentë…”, tha Hysi, dy ditë më parë. Por i menjëhershëm ishte reagimi i Oerd Bylykbashi, i cili përmes një postimi të gjatë në Facebook shkruan ndër të tjera se opozita nuk mund të “kompletojë sistemin e kapjes politike të drejtësisë” “Meqë nuk ju funksionoi mekanizmi i kapjes afatgjatë tek Magjistratura, kërkoni qe t’ju ndihmojë opozita?! A je e përgjegjshme për këtë kërkesë Vasilike?! I ke bërë thirrje studenteve që janë diplomuar jashtë të vijnë t’ju ndihmojne në këtë ‘mrekullinë e tetë’ tokësore që po ndodh në Shqipëri me Reformën në Drejtësi, kur edhe studentet që nuk janë diplomuar ende në Tiranë e kanë kuptuar katastrofën e reformes tuaj… Uroj që e ke të qartë që 50 studentet e Magjistraturës nuk t’i zgjidhin dështimet për KLGJ, KLP, Prokurorin e Përgjithshme, SPAK, gjykatën e posacme antikorrupsion apo BKH qe nuk ngrihen dot pas dy vitesh”, – komenton Bylykbashi. Gazment Bardhi përmes një postimi në Facebook thekson ndër të tjera se, “zgjidhja për kolapsin e sistemit të drejtësisë nuk është Ligji për Shkollën e Magjistraturës, por heqja dorë nga kapja politike” Edhe LSI-ja e ka thënë fjalën e saj zyrtarisht përmes deputetit Nasip Naço.
Ndryshimet në ligj
Por ,çfarë përmban në thelb drafti për magjistratët? Më pak fjalë, për shkak të moskonstituimit të institucioneve të qeverisjes të sistemit të drejtësisë, në veçanti të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Shkolla e Magjistraturës aktualisht ndodhet në pamundësinë e organizimit të provimit të pranimit për kandidatët për magjistratë, por edhe të mosemërimit të kandidateve për magjistratë, që janë diplomuar në muajin qershor. Në një kohë kur Këshillat nuk janë krijuar ende, dhe kandidatët e diplomuar nuk mund të emërohen dhe as të caktohen në pozicion, është vlerësuar se e vetmja zgjidhje është marrja e iniciativës legjislative për të bërë një ndryshim në një prej dispozitave ligjore në mënyrë që të lejojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm të emërojë dhe caktojë në pozicione kandidatët magjistratë të diplomuar, deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Ligji për Teatrin
Një tjetër debat i hapur është edhe ligji për Teatrin, për të cilin sot opozita do të kërkojë sërish rivotimin në Kuvend, kërkesë e pandryshuar nga PD e LSI. Kjo kërkesë ka shërbyer edhe si manovër politike për të shmangur ndonjë rrjedhje votash nga dy partitë politike që do të siguronin kuorumin për magjistratët. Prej mëse dy javësh të dyja partitë kanë ecur me këtë logjikë duke i kërkuar Gramoz Rucit që të rikthejë për votim ligjin. Në të kundërt ata do të braktisnin seancën. Dhe kështu kanë bërë. Me braktisjen e punimeve, opozita ka shmangur edhe surprizat në votime, veçanërisht në rastin e LSI-së, ku i fundit i ndarë nga “tufa” është ish-kryetari i LSI-së, Robert Bitri i cili ka dhënë dorëheqjen nga gjitha funksionet partiake të kësaj force politike. LSI-ja nuk e konsideron më Bitrin deputet të saj dhe kjo u duk qartë në votimin e ligjit për Teatrin. Burime nga opozita bëjnë me dije për “Mapo” se PD e LSI do të ndjekin sot të njëjtën rrugë. Pra, ata do të futen ne Kuvend dhe do të kërkojnë rivotimin e ligjit për Teatrin. Më pas ata do të largohen duke pamundësuar kështu kalimin e draftit për magjistratët, për ta shtyrë debatin vetëm në fillim të shtatorit.
Një tjetër çështje e mbetur pezull do të jetë edhe ajo për Teatrin. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nuk ka kthyer ende një përgjigje nëse do ta dekretojë ose jo ligjin për Teatrin. Pak ditë më parë ai u shpreh se nuk do të ndikohej nga faktorë jashtë përgjegjësive që i takon atij si President dhe se ligji në fjalë po shqyrtohej ende në zyrat e Presidencës. Ilir Meta ka afat deri më 30 korrik për të dhënë një përgjigje, që do të thotë se nëse nuk e firmos, dekreti do të kalojë sërish në Kuvend në fillim të shtatorit. Në të kundërt, ajo do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit Fletoren Zyrtare. Një tjetër variant është se Meta mund ta kalojë në heshtje ligjin për Teatrin, pra pa vendosur as pro dhe as kundër.