Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot buxhetin e shtetit për vitin 2020 me 84 vota pro, 9 kundër dhe 4 abstenim.
Duke prezantuar draftin, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se do të dyfishohet ndihma ekonomike për periudhën e pandemisë.
Ai ka bërë me dije se kjo është një masë e domosdoshme, teksa shtoi se është paguar kapari për të marrë vaksinën anti COVID si pjesë e paketës COVAX.
“Strategjia e testimit lidhet me identifikimin dhe gjurmimin. Nuk testohet për të testuar. Sot në Lombardi, në rajonin më të pasur të Italisë, me shëndetësi ekselente, autoritetet shëndetësore nuk të bëjnë tamponin, nëse nuk ke simptoma të një grade të caktuar, por të thonë të qëndrosh në shtëpi. Vajtja me turravrap për të bërë tamponin te privati dhe për të paguar atje para, që shpenzohen në mënyrë të panevojshme, mund të shërbejë për të hequr një merak, por nuk ka lidhje me mënyrën e trajtimit të armikut në këtë luftë. Asnjë shtet sot që flasim, tani, nuk bën më atë që bënte në periudhën e mëparshme. Edhe shtetet që bënin testime, testime, tani janë frenuar, duke u përpjekur të fokusohen aty ku Shqipëria dhe disa vende të tjera janë fokusuar qysh në krye të herës. Jo se jemi më të zotë, por se kjo ka qenë strategjia e zgjedhur nga ekspertët tanë. Nëse Komiteti Teknik do na thoshte të blinim teste më shumë, normalisht që do t’i blinim. Siç gjetëm mundësinë të paguajmë naftëtarët, edhe pse nuk ishte një hall i krijuar nga ne. Siç kemi vendosur të dyfishojmë ndihmën ekonomike nga janari i vitit tjetër, patjetër që do ta gjenim mundësinë për të shtuar testet.
Por në fund të ditës ka vetëm një mënyrë për të gjykuar situatën, sa të infektuar ke, sa fatalitete ke dhe sa shtretër ke në dispozicion. Nëse në këto të treja nuk je në gjendje alarmi, do me thënë se po bën gjënë e duhur. Nëse në këto të treja Shqipëria nuk është asgjëkundi në vendet që kryesojnë listat për të infektuar, të vdekur dhe kapacitete në shtretër, por është në një dispozicion që hyn te normale, atëherë tjerat janë asgjë. Mund të ndodhë në proces, nuk e dimë, por ndaj jemi përgatitur për më të keqen. Nëse numrat shkojnë përtej kapaciteteve, kemi spitalet rajonale, por sot nuk ka ndodhur. Edhe në rajonin tonë ne jemi me parametrat më lehtësues. Ne do të bëjmë gjithçka, të gjithë së bashku, që deri në fund të kemi një bilanc për të cilin të jemi të gjithë të lehtësuar me vetveten dhe me njerëzit, që bëmë gjithçka mundëm dhe Shqipëria doli nga kjo luftë me të gjitha pasojat, që çdo luftë sjell, por me asnjë pasojë më shumë se gjithë të tjerët. Kemi paguar kaparin për COVAX, kemi prenotuar për të marrë vaksinën. Jemi në komunikim të përditshëm me BE, unë kam pasur një bisedë të gjatë me presidentet e Komisionit”, tha Rama”, deklaroi kryeministri Rama.
Teksa foli për shëndetësin, Rama deklaroi se kjo është rritja më e madhe e buxhetit të shëndetësisë në 30 vitet e fundit. Duke bërë dhe një krahasim me spitalet e disa viteve më parë dhe gjendjen aktuale, ai thotë se ndryshimi është si nata me ditën.
“Masa të reja që do të qëndrojnë aty përtej vitit të ardhshëm. Qytetarët që preken nga virusi COVID-19 dhe ata që hyjnë në kategorinë me ndihmë ekonomike. Së pari rritja e buxhetit të shëndetësisë në vitin 2021 është rritja më e lartë në të gjitha këto 30 vjet për shëndetësinë në një buxhet të shtetit. Plus 23.3 %, një rritje e pandodhur më parë që siç e thashë lidhet me masat e reja që do të qëndrojnë aty qoftë edhe me fuqizimin e vijës mbrojtëse për të dalë kryelartë nga kjo luftë. Shqipëria nuk ka asgjë mangët nga gjërat e tjera. Sikur kjo flamë ta kishte gjetur Shqipërinë me spitalet kur ne morëm detyrën. Ishim në spitalin e Vlorës në sallën e re të reanimacionit, dallimi mes çka kemi sot dhe çka kishim dje ishte realisht dallimi i ditës me natën dhe i tillë është edhe në QSUT dhe në spitalet e tjera rajonale. Në spitalin e Vlorës në 2014 kishte vetëm 2 aparatura të vjetra të kohës së marrëdhënieve shqiptaro-kineze. Sot linjat e oksigjenit, aparaturat që suportojnë trajtimin e pacientëve me oksigjen janë në të gjithë sistemin tonë të mbrojtjes kundër COVID” – tha Rama.
Rriten pagat për mjekët dhe infermierët
Projektbuxheti për vitin 2021, synon rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas dy fatkeqësive natyrore, tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia e shkaktuar nga COVID-19. Kjo rimëkëmbje, do të kryhet përmes skemave të nxitjes së punësimit, mbështetjes proaktive ndaj biznesit, rindërtimit të plotë të banesave të qytetarëve të prekur nga tërmeti si dhe masave parandaluese të përhapjes së mëtejshme të COVID-19.
Një tjetër element veçues i këtij p/buxheti është edhe angazhimi i qeverisë për rimbursimin e paketës bazë të medikamenteve për të gjithë qytetarët që do të preken nga COVID-19 dhe do të trajtohen në kushte ambulatore, pra do të trajtohen në shtëpi, nën mbikëqyrjen e mjekut të familjes.
Për të mbështetur këtë politkë, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave gjatë dikutimit nen për nen të p/buxhetit miratoi një fond shtesë prej 1.2 miliardë lekësh për ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Gjithashtu në kuadër të luftës kundër përhapjes së COVID-19, qeveria vendosi edhe dyfishimin e ndihmës ekonomike deri në fund të pandemisë.
Përmes këtij buxheti bëhet e mundur edhe rritja e pagave për mjekët, infermierët dhe laborantët me 40% si dhe e mësueve me 15%.
Mbështetje më të madhe gjatë disktuimit nen për nen të p/buxhetit në komisione mori edhe ministria e Bujqësisë, si i vetmi sektor i cili pavarësisht situatës së krijuar prej COVID-19, dha ndikim pozitiv në ekonomi.
“Pas recesionit të fortë në vitin 2020, aktualisht i parashikuar në -6.1%, ekonomia pritet të rikuperohet në vitin 2021 dhe të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme. Rritja ekonomike parashikohet në 5.5% në vitin 2021 dhe parashikohet të vijojë të qëndrojë afër nivelit prej 4.9% përgjatë periudhës afatmesme në vijim”, është shprehur ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.
Rritja ekonomike parashikohet në 4.8 dhe 4.5% respektivisht për vitet 2022 dhe 2023.
Norma e papunësisë parashikohet me ulje në 2021-n në nivelin 12.2% krahasuar me të pritshmin e vitit 2020 prej 13.9%.
Rritja ekonomike dhe punësimi, do të mbështetet edhe nga objektivi tjetër i planifikuar në këtë buxhet, ai i sigurimit të një niveli të lartë të investimeve publike prej 7.2% e PBB.
Në vitin 2021, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 479 miliard lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 437 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 311 miliard lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen 99,7 miliardë lekë.
Për shpenzimet publike për vitin 2021 janë planifikuar 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB.
Totali i investimeve publike për vitin 2021 planifikohet në masën 7.2% e PBB ose 120.6 miliardë lekë, përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 27 miliardë lekë. Në planifikimin e investimeve për vitin 2021 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm.
Miratimi i projektbuxhetit në Kuvend i hap rrugë zbatimit të tij nga 1 janari i vitit 2021.