Aktualitet

Kuvendi të hënën seancë të posaçme, SMS-ja për deputetët






               Publikuar në : 16:50 - 02/07/19 |
mapo.al

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në dy seanca të njëpasnjëshme, njëra prej të cilave e posaçme. Këtë të enjte Parlamenti do të mblidhet në seancë të rregullt, ndërsa të hënën, 8 korrik, është njoftuar një seancë jashtë radhe. Burime pranë Kuvendit konfirmojnë se kjo seancë do të nisë prej orës 18:00.


Mësohet se deputetëve të Partisë Socialiste iu është kërkuar të mos mungojnë në këtë seancë. Ata janë porositur përmes një SMS-je për të qenë të gjithë të pranishëm.

“Të mos mungojë asnjë në seancën e posaçme plenare”, ka qenë porosia për deputetët e PS.

Për mazhorancën kjo seancë jashtë radhe konsiderohet e rëndësishme pasi pritet të miratohet ngritja e Komisionit Hetimor Parlamentar, për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Raportet institucionale mes qeverisë dhe presidentit janë tensionuar që prej zhdekretimit nga ana e kreut të shtetit të 30 qershorit si datë zgjedhjesh. Shumica nuk iu përgjigj apelit të Metës për të moszhvilluar zgjedhjet e të dielës si dhe injoroi edhe datën e re të zgjedhjeve vendore, 13 tetorin.

Ndërsa këtë të martë në daljen për mediat, Ilir Meta akuzoi për komplot ndërkombëtar kundër Shqipërisë. Ai propozoi zgjidhjen e krizës politike duke mbajtur zgjedhjet vendore, ato parlamentare dhe presidenciale në datën 13 tetor.


Etiketa: , ,

Pas