Aktualitet

Kuvendi thërret Metën në shtator, Bardhi: Telenovela verore e Ramës






               Publikuar në : 18:28 - 11/07/19 |
mapo.al

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta zhvilloi këtë të enjte mbledhjen e tij të parë, i përqendruar totalisht në aspektet procedurale. Sipas rregullores së Kuvendit dhe ligjit për komisionet hetimore, Presidenti i Republikës është i detyruar të paraqitet në një seancë kur të thirret nga Kuvendi.


Sipas të gjitha gjasave, Meta do të thirret në shtator për të mbrojtur qëndrimin e tij, e nëse ai nuk pranon të marrë pjesë, atëherë mund të thirret me forcë. Në mbledhje u caktuan se relatorët do të jetën Halit Valteri dhe Alket Hyseni, ndërsa Klotilda Bushka do të jetë sekretarja e komisionit.

Raportin me gjetjet për shkarkimin e Presidentit pritet që të mbërrijë kështu në Kuvend në vjeshtë dhe brenda pesë ditës nga votimi, për të cilin socialistët duket deri tani se i kanë votat, Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet për verdiktin përfundimtar.

Reagimi i PD
Pas mbledhjes së parë të Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Ilir Metës, ka reaguar Partia Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Gazment Bardhi, e cilësoi “një telenovelë verore” iniciativën e mazhorancës së majtë.

“Për të mbuluar vjedhjen e shqiptarëve, vjedhjen e votës, vjedhjen e taksave, vjedhjen e pasurive, Edi Rama ka nisur shfaqjen për herë te parë te telenovelës “Parlamenti i krimit kundër Presidentit”, ku vetë është regjisor, vetë skenarist, vetë producent, vete aktor. Edi Rama e ka të qartë se telenovela me shkarkim presidenti është vetëm nje sajesë vere dhe abuzim me fondet publike.

Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje, por ka ushtruar kompetencën e tij kushtetuese për t’u garantuar qytetarëve të drejtën për të zgjedhur në një sistem demokratik dhe pluralist. Duke shfaqur telenovelën bajate, me aktorë kryesorë personazhet e dosjeve 184 dhe 339 të blerjes së zgjedhjeve me krimin, Edi Rama do që të mos flitet për krimet e tij ndaj shqiptarëve.

Do qe të mos flitet për tarifen e re për karburantin;
Do qe të mos flitet për koncesionin e ri 250 milionë euro të Milot Balldre;
Do që të mos flitet për mungesën nga korrupsioni të rreth 60 milionë eurove në 6 muaj nga doganat dhe tatimet;
Do që të mos flitet për borxhin e lartë publik, të fshehur tek PPP-të;
Do që të mos flitet për kapjen e drejtësisë;
Do që të mos flitet për lidhjet e tij direkte me krimin e organizuar;
Do që të mos flitet për dështimin e tij në hapjen e negociatave me Bashkimin Europian; dhe, mbi të gjitha,
Do që të mos flitet për refuzimin plebishitar, që 85% e shqiptarëve i bënë regjimit të tij, për ndryshimin që duan shqiptarët.

Me apo pa telenovelën e verës së Edi Ramës, shkelësit më të madh të Kushtetutës, sot një gjë është e qartë: Vendimi kushtetues dhe i përgjegjshëm i Presidentit i shërben njerëzve dhe interesit publik. Ndersa votimet moniste të 30 Qershorit, siç shprehet edhe OSBE/ODIHR, u mbajtën pa e marrë fare në konsideratë interesin e qytetareve”.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas