Arben Shehu do të jetë kreu i ri i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kuvendi ka miratuar kandidaturën e Shehut me 108 vota pro, 5 kundër dhe 4 abstenim.
Në seancën e sotme, Shehu ka bërë dhe betimin, duke falënderuar deputetët e Kuvendit për besimin që i dhanë.
Arben Shehu iu propozua Kuvendit të Shqipërisë për t’u zgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit nga Presidenti Ilir Meta. Shehu është kandidatura e katërt e kreut të shtetit i cili gjeti konsensusin mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare.
Ndërkohë tre kanditaturat e tjera të mëparshme të propozuara nga Meta për këtë post, ishin Petraq Milo, Vitore Tusha dhe Bahri Shaqiri, të cilat janë rrëzuar që në komisionin e Ekonomisë.
Siç thuhej në njoftimin e Presidencës, “Dr. Arben Shehu plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me eksperiencë të gjatë në fushën e së drejtës dhe pedagogjisë“.