Laçi ka fituar me rezultatin 2-0 ndaj Kukësit dhe është një fitore që vlen shumë. Ekipi kurbinas i ka dhënë një asist të fortë Tiranës që tani e sheh sërish veten 9 pikë plus Kukësit dhe kampionati është i hapur vetëm nga ana matematikore. Vendasit ishin më të qartë dhe arritën të shënonin golin e parë me Lushkjen në minutën e 35′. Një përgjumje e mbrojtjes verilindore bëri që Lushkja të përfitojë dhe dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Verilindorët nuk reaguan as në pjesën e dytë. Madje ishin vendasit që shënuan dhe golin e dytë me anë të Selmanit. I riu dërgoi topin në rrjetë në minutën e 71′. Tekniku Armando Cungu e sheh veten në vendin e tretë me 49 pikë, një më shumë se Skënderbeu. Kukësi mbetet në vendin e dytë.
Teuta ka bërë detyrën në transfertë kundër Luftëtarit, pasi fitoi me shifrat 5-1. Pjesa e parë u mbyll 0-0, ndërsa në të dytën u shënuan të 6 golat. Hebaj hapi llogaritë në të 51′, por u barazua shumë shpejt nga vendasit me anë të Haxhiut. Kallaku më pas shënoi dy gola radhazi, ndërsa Abdyli çoi shifrat në 1-4 në të 81′. Mesfushori i talentuar Kallaku realizoi tripletë në minutën e 89′ për të mbyllur ndeshjen në 1-5.
Bylisi ka marrë një fitore në ekstreme ndaj Skënderbeut. Ballshiotët realizuan në minutën e 93′. Ishte portieri Isli Hidi që ktheu në gol një penallti duke i dhënë ekipit të tij 3 pikë të rëndësishme. Ballshiotët tani e shohin veten 4 pikë larg Vllaznisë së vendit të 8, pozicion ky që të çon në play-out.