Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk cenohen. Ishte ky mesazhi i fortë që përçoi në Prishtinë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Nga perspektiva amerikane, dua të them se SHBA-ja e përkrah plotësisht pavarësinë e Kosovës, integritetin territorial të saj. E keni treguar se jeni partner solid, mik i mirë dhe ju falënderojmë për këtë. Për Kosovën e rajonin, shohim mundësi të jashtëzakonshme. Jeni evropianë, jeni ekonokimisht, në aspekt kulturor dhe historikisht evropianë. Kemi punuar me kolegët evropianë që ta njohin Ballkanin Perëndimor si mundësi të jashtëzakonshme e jo si rrezik. Ne inkurajojmë gjitha palët që ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtar potencial të ardhshëm. Procesi i dialogut ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të drejtohet nga BE-ja, sepse bëhet fjalë për BE-në. Por derisa lëvizni drejt BE-së, ju gjithashtu duhet të jeni miq të ngushtë me SHBA-në, sepse është një miqësi transatlantike dhe procesi i dialogut do të jetë në mbështetje të plotë nga SHBA-ja dhe në afërsi të SHBA-së”, ka thënë Escobar, ndërsa ka premtuar përkrahjen e plotë të SHBA-së.
Ndërsa i emëruari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se ndodhet në Prishtinë për të dhënë mesazh se BE dhe SHBA punojnë krah për krah për procesin e dialogut.
“Jam i lumtur se vizita ka ofruar mundësi për të diskutuar planin tonë për muajt e ardhshëm e javët e ardhshme me presidentin, me kryeministrin. E do të vazhdojmë diskutimet tona. Do të qëndrojmë deri të mërkurën, do të na ndihmojnë të kemi pamje të qartë se çfarë të presim në të ardhmen çfarë të presim në të ardhmen e të shtyjmë procesin para. Do të informojmë për vizitën. Në këtë pikë dua të them se jemi të lumtur që jemi këtu bashkë”, ka thënë ai.
Këto deklarata erdhën pas një takimi me dyer të mbyllura të zhvilluara me kryeministri e Kosovës, Albin Kurti.
Më herët Escobar dhe Lajçak u pritën edhe nga presidentja, Vjosa Osmani. Pas takimit kryetarja e shtetit të Kosovës, tha se diskutuan kryesisht për dialogun e lehtësuar nga BE, ndërsa akuzoi Serbinë se po bllokon bisedimet në Bruksel. Gjithashtu përsëriti kërkesën që marrëveshja përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke.