Një 60-vjeçar është plagosur me armë zjarri në Kavajë. Burime të Gazetës Mapo bëjnë me dije se i moshuari është plagosur me çifte. Paraprakisht mësohet se 60-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që autori është arrestuar. Gjithçka ka nisur për shkak të një konflikti pronësie për një furrë buke, ku autori ka marrë çiften dhe ka qëlluar të moshuarin.
Njoftimi i policisë
Plagos me armë gjahu një shtetas, identifikohet, kapet dhe arrestohet në kohë rekord nga Policia e Kavajës.
Shërbimet e Policisë Kavajë, identifikuan, kapën dhe arrestuan në kohë rekord shtetasin:
S. T., 26 vjeç, banues në Kavajë
Ky shtetas rreth orës 05:15 të mëngjesit të sotëm, në qytetin e Kavajës në ambientet e një furre buke, për shkak të një konflikti pronësie ka plagosur me armë gjahu pronarin e furrës, shtetasin E. K., 60 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin mjekësor.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë në ngarkim të shtetasit S. T., për veprën penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, parashikuar nga nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal.