Qeveria shqiptare në mbledhjen e radhës ka marrë vendimin për njohjen e patentave greke, vendim që është marrë dhe nga Athina zyrtare, e cila ka nisur procedurat që njohjen e patentave të Shqipërisë.
Njohja e ndërsjellë e lejeve të drejtimit është një zhvillim pozitiv, pasi do të krijojë lehtësi lëvizje dhe komunikimi më të madha shtetasve shqiptarë dhe grekë.
Marrëveshja do të lehtësojë ndjeshëm jetën e qytetarëve shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi, por dhe atyre që udhëtojnë drejt vendit fqinj dhe anasjelltas.
VENDIMI I PLOTË:
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË GREQISË, MBI NJOHJEN E NDËRSJELLË TË LEJEVE TË DREJTIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.