Fondi Shqiptar i Zhvillimit njofton se është drejt përfundimit rruga që të çon në Dardhë të Korçës, një lajm ky mjaft i mirë për turistët.
Amortizimi i disa segmenteve të kësaj rruge që të çon drejt Dardhës turistike, ishte kthyer në një pengesë për turistët sidomos në dimër.
Falë investimit në kuadër të programit “Infrastruktura Vendore Rajonale”, me financim nga Qeveria Shqiptare dhe zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit kjo rrugë do të jetë lehtësisht e aksesueshme në të gjitha stinët e vitit. Segmenti nga Boboshtica e deri në fshatin turistik të Dardhës ka pësuar riparime në pjesët e dëmtuara.
Ky investim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në turizëm, në ekonominë lokale dhe në mirëqënien e banorëve.
“Tashmë pas një rruge komode me gjelbërim arrin në fshatin me vlera të mëdha historike dhe natyrore. Aty mund të prekësh nga afër trashëgiminë kulturore dhe historike, arkitekturën e banesave të ndërtuara prej guri me çatitë karakteristike me plloça, shtëpinë e Sotir Panit si dhe trashëgiminë etnografike”, thekson Fondi Shqiptar i Zhvillimit.