Aktualitet

20 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri, arrin në 13 numri i të vdekurve





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:02 - 31/03/20 |
mapo.al

20 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri. Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli prezantoi shifrat e reja për 24 orët e fundit. Ndërkohë gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm ka humbur jetën një tjetër pacient i infektuar, një 62-vjeçar me sëmundje bashkëshoqëruese, duke e çuar numrin e të vdekurve në 13.


Një ditë më parë numri i rasteve të reja ishte 11. Numri total i të infektuarve në vendin tonë ka arritur në 243. Tirana kryeson për rastet e konfirmuara me 129 persona të infektuar, e ndjekur nga Durrësi me 26 raste, Fieri me 23 dhe Korça me 15.


Megjithëse shifrat e të infektuarve janë në rritje, lajme të mira vijnë nga Infektivi sa i takon rasteve të shëruara. 8 pacientë të infektuar janë shëruar vetëm ditën e djeshme, duke e çuar në 52 numrin e pacientëve që kanë mposhtur virusin vdekjeprurës.


Deklarata e plotë
Në 24 orët e fundit janë testuar 145 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 20 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 1671 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 243 raste.


Mbrëmjen e kaluar dhe mëngjesin e sotëm kanë ndërruar jetë në spitalin Infektiv një paciente 82-vjeçare nga Tirana dhe një pacient 62 vjeçar nga Durrësi, të konfirmuar me COVID-19, me sëmundje bashkëshoqëruese. Shkon në 13 numri i personave që kanë ndërrur jetë nga COVID-19 në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjeve të të ndjerëve.

Ju informojmë se aktualisht, në shërbimin infektiv aktualisht janë 77 të shtruar. 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 3 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” kemi një pacient të shtruar. Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 8 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 52.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Shkodër, Mirditë dhe Korçë, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 129 raste
– Durrës 26 raste
– Lushnje 4 raste
– Elbasan 5 raste
– Fier 23 raste
– Kavajë 4 raste
– Rrogozhinë 2 raste
– Korçë 15 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 8 raste
– Lezhë 5 raste
– Berat 1 rast
– Has 2 raste
– Krujë 5 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 3 raste
– Mirditë 2 raste

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Respektoni masat e distancimit social sepse vetëm kështu mund ta përballojmë këtë sfidë! Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët të telefonojnë në numrin 127 të urgjencës kombëtare nëse dyshojnë se kanë shenja të COVID-19.

LEXO EDHE: 

Shifra që japin shpresë, 52 të shëruar nga koronavirusi


Etiketa: , , , ,

Pas