Bie në prangat e policisë bashkëpunëtori 4 i përfshirë në vrasjen e Hekuran Billës, 40 vjeç, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit te Komuna e Parisit.
MAPO ka mësuar se i arrestuari është Gjekson Pusi, 33 vjeç, shok i ngushtë me Viktor Markun. Ai është arrestuar në Shkodër.
Gjekson Pusi është personi që i bëri atentat me armë Fatjon Harushës në Shkodër, ditën e djeshme. Pasi e arrestoi, policia e Shkodrës i komunikoi edhe një urdhër-ndalimi të lëshuar nga Tirana, pasi dyshohet si personi që ndihmoi në vrasjen e Hekuran Billës.
33-vjeçari dyshohet se ka qenë personi që ka drejtuar automjetin që u përdor në atentat dhe që u gjet i djegur disa minuta pas ngjarjes në Pezë.
Më herët janë prangosur Sebastian Mali dhe daja i tij Viktor Marku si dhe vajza që nxori në pritë viktimën, Adjola Lakra, e cila ishte njëkohësisht edhe e dashura e Hekuran Billës.
Ngjarja ka motive hakmarrje, pasi 40-vjeçari kishte vrarë në Britaninë e Madhe Prel Markun, vëllanë e Viktor Markut gjatë një sherri.
Njoftimi
Shkon në katër numri i personave të arrestuar për vrasjen e shtetasit H. B.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore që po kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, ku mbeti i vrarë shtetasi H. B, një tjetër person ka rënë në prangat e Policisë.
Falë bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve mes Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe DVP Tiranë është vënë në pranga drejtuesi i mjetit që transportonte shtetasin V. M., i dyshuar si autori kryesor i vrasjes së shtetasit H. B.
Vihet në pranga shtetasi GJ. P., 33 vjeç, i cili u kap dhe u arrestua nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, pasi dyshohet se është autor i ngjarjes së ndodhur në fshatin Vukatanë, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të automjetit në pronësi të DPSHTRR, që drejtohej nga shtetasi F. H., 30 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër.
Shtetasi Gj. P. ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi“, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Gjithashtu, gjatë paradites së sotme, falë veprimeve hetimore të kryera nga strukturat e DVP Tiranë ka rezultuar se ky shtetas është i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e shtetasit H. B.
Gjekson Pusi