Covid-19 i ka marrë jetën një tjetër shqiptari në Itali. Altin Hyso 45 vjeç, ka ndërruar jetë një ditë më parë në spitalin e Chietit në rajonin e Abruzzo.
Bashkëshort e baba i dy fëmijëve minorenë, ai jetonte prej 25 vitesh në Sulmona. Mësohet se vuante nga leucemia dhe kishte rezultuar pozitiv me Covid-19.
Altin Hyso punonte si punëtor ndërtimi dhe ishte një person i respektueshëm në komunitetin shqiptar të Abruzzos.
Dëshira e tij e fundit ishte të prehej në Shqipëri, gjë që nuk u realizua për shkak të koronavirusit.
Në rajonin e Abruzzo me rreth 1 milionë e 300 mijë banorë jetojnë rreth 12 mijë emigrantë shqiptarë.
Aktualisht, pacientë pozitiv me Covid-19 në këtë rajon janë rreth 3 mijë persona.
Dy muaj nga përhapja e pandemisë në Itali, autoritetet shqiptare dhe italiane ende nuk kanë zbardhur të dhëna zyrtare mbi numrin e emigrantëve shqiptarë që kanë humbur jetën apo janë infektuar me Covid-19./Ora News