Tjetër arratisje spektakolare e shqiptarëve nga burgjet greke. Ngjarja ka ndodhur të martën në burgun Kassandra në Halkidiki, aty ku dy shqiptarë (të moshës 31 dhe 33 vjeç) të dënuar për vrasje kanë arritur të dalin nga qelitë pavarësisht nga masat e sigurisë.
Mediat greke raportojnë se shqiptarët nuk janë paraqitur në apelin e mëngjesit dhe menjëherë ka nisur verifikimi në qeli nga gardianët. Ata nuk janë gjetur në vendin e vuajtjes së dënimit dhe menjëherë është aktivizuar alarmi.
Administrimi i burgjeve njoftoi autoritetet policore të njëjtën ditë për t’u vënë në kërkim të tyre. Policia ka nisur kërkimet prej të martës, ndërsa janë njoftuar doganat, aeroportetet etj për të parandaluar daljen e tyre jashtë shtetit grek.
Ende nuk është e qartë se si kanë arritur të largohen shqiptarët nga qelia.
Jo më larg se një muaj më parë ishin katër shqiptarë të cilët arritën të arratiseshin nga burgu Petru Rali në Athinë. Ata kërcënuan me thika të improvizuara gardianët, duke i çarmatosur. 4 të dënuarit u larguan nga qelitë, por dy prej tyre u arrestuan nga policia disa orë më pas.
Ndërsa dy të tjerët vijojnë të jenë ende në kërkim.