Aktualitet

Basha: Krizën e ka shkaktuar Rama me krimin, nuk zgjidhet me letra






               Publikuar në : 19:35 - 18/09/19 |
mapo.al

Rreth 60 minuta ka zgjatur takimi i kryedemokratit Lulzim Basha me aleatët e koalicionit opozitar. Mësohet se diskutimet në këtë mbledhje janë përqendruar te ftesa e Ramës për dialog për Reformën Zgjedhore. Në përfundim të takimit janë zbardhur edhe detaje nga diskutimet. Nga burimet mësohet se partitë opozitare kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për tryezë të përbashkët dialogu.


Mësohet se brenda kampit opozitar ka dakordësi që të zgjidhet më parë kriza politike dhe më pas palët të ulen në një tryezë të përbashkët për Reformën Zgjedhore, duke iu përgjigjur kështu negativisht letrës së kreut të qeverisë. Kryedemokrati Lulzim Basha mësohet të jetë shprehur se kriza që po kalon vendi sot është shkaktuar nga bashkëpunimi i Edi Ramës me krimin. Ai ka thënë se ngërçi nuk zgjidhet me letra.



Reforma Zgjedhore të bëhet pas zgjidhjes së krizës. Krizën e ka shkaktuar Rama me krimin, nuk zgjidhet me letra”, mësohet të jetë shprehur kryetari i PD-së, Lulzim Basha në mbledhjen me krerët e partive të koalicionit opozitar në selinë blu. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, në një prononcim të shkurtër pas takimit tha se “qëndrimet e opozitës janë ato që u bënë të ditura më herët nga Basha“.

Në letrën drejtuar: Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Nard Ndokës, Vangjel Dules, Agron Dukës, Dashamir Shehit, dhe Fatmir Mediut, kryeministri Edi Rama shkruan se “kërkon të krijojë një hapësirë dialogu e ndërveprimi, lidhur me një sfidë të cilën ai e quan të një rëndësie kombëtare, Reformën Zgjedhore”.

Ndërsa qëndrimi refuzues i opozitës u bë i ditur që në mesditë kur gjatë një komunikimi me median Lulzim Basha u shpreh se ftesa e Ramës ishte e pasinqertë dhe tallje me opozitën, sa kohë, sipas tij, në komisionin e Reformës Zgjedhore është Damian Gjiknuri, i kapur në përgjimet e Prokurorisë si pjesë e dosjes 184 në Dibër, ku po hetohet shitblerja e votave.

“Nëse ideja e Reformës Zgjedhore përfshin Damian Gjiknurin atëherë të ftojnë dhe Ymer Lalën, Safet Bajrin, Shullazin dhe Avdylajt se kjo pastaj është tallje dhe provokim me gjithë shqiptarët. Reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme. Opozita ka përgatitur tash dy vjet një platformë për reformën zgjedhore që është shumë më shumë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor apo penal. Duhet të përfshijë një transformim të thellë politik që të çojë vendimmarrjen te qytetarët shqiptarë dhe të krijojë mekanizmat me anë të cilave kurrë më të mos përsëritet një krizë e tillë”, tha Basha.

LEXO EDHE:

Letra e Ramës, Basha: Tallje, të ftojë Shullazin, Bajrin e Avdylajn

Rama fton për bisedime opozitën, letra drejtuar Bashës


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas