SHKODËR – Janë gjetur trupat e pajetë të dy të rinjve të zhdukur prej disa ditësh në Malësi të Madhe.
Klement Pepaj, 21 vjeç, së bashku me Vilson Çutajn, 37 vjeç, u zhdukën në zonën malore të Rencit pasditen e datës 3 tetor.
Sot gjatë kontrolleve nga policia, ata janë gjetur të pajetë. Lajmi konfirmohet nga familjarët e viktimave.
Mësohet se dy të rinjtë kushërinj me njëri-tjetrin janë ekzekutuar me armë zjarri. Shkak për ngjarjen e rëndë ka qenë një konflikt mes tyre dhe kushëririt tjetër, Danjel Pepaj, 25 vjeç, për vjedhjen e kanabisit.
Autor i krimit tronditës dyshohet se është Danjel Pepaj, i cili ka ekzekutuar me breshëri kallashnikovi dy kushërinjtë e tij. Në trupin e viktimave janë konstatuar plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Pas vrasjes, autori ka fshehur trupat dhe është larguar në drejtim të paditur.
Mësohet se Danjel Pepaj është larguar drejt Malit të Zi, përmes kufirit të gjelbër, duke humbur gjurmët.
Nga e majta, Danjel Pepaj, Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj
Ishin familjarët e Klement Pepajt ata të cilët akuzuan publikisht se pas zhdukjes së dy të rinjve fshihej Danjel Pepaj, kushëri i dytë me Klement Pepajn. Babai i Klement Pepajt thanë se dy të zhdukurit ishin marrë peng nga kushëriri i tij, Danjel Pepaj dhe fati i tyre mund të ishte tragjik, pasi pranë fshatit ishin dëgjuar disa të shtëna me armë zjarri.
Kërkimet nga e Policisë së Shtetit dhe familjarëve të viktimave vazhduan për pesë ditë me radhë, ndërsa trupat e pajetë të dy të rinjve u gjetën vetëm mesditën e sotme në një zonë të thyer në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe.
E shkuara e tre të rinjve
Një nga viktimat, 37-vjeçari Vilson Çutaj banor i Bjazës, njihej në zonë si një njeri konfliktual. Dyshohet se aktiviteti kryesor i tij ka qenë në kultimvin dhe trafikimin e kanabisit. Për këto dyshime dhe për konflikte banale ai është shoqëruar disa herë në polici, por nuk është dënuar.
Po kështu dhe Danjel Pepaj ka dyshime se është marrë me kultivim të bimëve narkotike. Ndërsa, 21-vjeçari Klement Pepaj ka qënë emigrant në Francë dhe në Zvicër dhe në një vit më parë është deportuar pasi nuk kishte leje qëndrim në Zvicër.
Për 21-vjeçarin banorët thonë se 6 muajt e fundit ai nuk ka pasur sjellje normale. Qëndronte deri në orët e vona të natës nëpër rrugë nën shoqërinë e kushëririt Vilson Çutajt. Gjatë tre muajve të fundit ata janë parë shpesh dhe me Danjel Pepaj. Të tre dyshohet se kishin kultivuar parcela me kanabis në zona të thella të Malësisë së Madhe, nga ku edhe dyshohet se lindi konflikti mes tre rinjve, dy prej të cilëve kushërinj të afërt me njëri-tjetrin.