Diego Armando Maradona, një prej legjendave të futbollit, ka vdekur ditën e sotme. Ish-lojtari i Argjentinës, Barcelonës dhe Napolit ka humbur jetën sot në Argjentinë.
Ai pësoi një atak kardiak në shtëpinë e tij. Maradona kishte kaluar para 2 javësh një operacion në tru dhe e kishte përballuar me sukses sipas asaj që thonin mjekët.
Reagimi i parë që vjen nga Argjentina është i Federatës së Futbollit. Ata kanë postuar foton e Maradonës me Kupën e Botës të fituar në 1986. “Lamtumirë, Diego. Do të mbetesh në zemrën e çdo futbolldashësi në të gjithë botën”, – shkruhet në postim.
Maradona cilësohej si një ndër futbollistët më të mirë në vitet 1980-1997. Ai së bashku me Pelen ishin dy futbollistët më të mirë të kohës.
Mediat argjentinase shkruajnë se Maradona ka patur komplikacione dhe ka humbur jetën në moshën 60-vjeçare si pasojë e një arresti kardiak.
Maradona doli vetëm pak ditë më parë nga spitali. Maradona, që udhëhoqi Argjentinën në fitoren e kupës së botës në vitin 1986, pati një operacion të suksesshëm në tru, për shkak të një presioni gjaku.
Ai u shtrua në spital në Buenos Aires në fillim të muajit, me vuatje nga anemia dhe dehidratimi.