SHKODËR – Identifikohet autori i vrasjes së biznesmenit Nard Polia në fshatin Grudë të Shkodrës, ngjarje kjo e ndodhur pasditen e 20 marsit. Policia e Shkodrës jep vetëm incialet e autorit, K.S, 27 vjeç, ndërsa theksohet se është shpallur në kërkim dhe vijon puna për arrestimin e tij.
Gjatë operacionit të koduar “Step By step” janë vënë në pranga tre bashkëpunëtorët e tij, Gilbert Toma, 26 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Bashkia Shkodër, K. T., 29 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër si dhe Alfred Martini, 20 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër. Tre të arrestuarit kanë ndihmuar autorin të largohet me automjetin e tyre, pasi dogji motorin 2 km larg vendit të ngjarjes. Ai zbrazi një karikator kallashnikovi në drejtim të Polisë duke e lënë të vdekur brenda në fuoristradën e tij, ku ndodhej bashkë me një person tjetër.
Ekzekutimi i Nard Polisë, 35 vjeç, tronditi Shkodrën dhe shkaktoi reagime të ashpra në opinionin publik. Polia ishte kthyer në vendlindje disa vite më parë nga emigracioni në Itali dhe kishte ngritur një bujtinë në fshatin Theth ku çdo vit priste qindra turistë. Njëkohësisht ai ishte i punësuar te Agjencia e Zonave të Mbrojtura. Policia nuk bën të ditur motivet që kanë shtyrë të riun të vriste biznesmenin i cili la pas një vajzë 3 vjeçe dhe gruan shtatzënë.
Njoftimi i Policisë
Vijon puna për dokumentimin e plotë me prova ligjore të autorësisë së vrasjes së shtetasit N. P., më datë 20.03.2019. Finalizohet operacioni “Step By Step”. Në pranga tre bashkëpuntorët kryesorë të autorit të dyshuar të vrasjes. Shpallet në kërkim autori i dyshuar.
Gjatë paradites së sotme, pas një pune të mirëorganizuar nga ana e D.V.P. Shkodër, në bashkëpunim me forcat Operacionale të D.P.P. Shtetit Tiranë, dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, u bë finalizimi i operacionit “Step By Step” në lidhje me vrasjen e shtetasit N. P., ndodhur më datë 20.03.2019.
Në këtë kuadër u bë ndalimi i shtetasve:
– G. T., 26 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Bashkia Shkodër.
– K. T., 29 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër.
– A. M., 20 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Shkodër.
Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit K. S., 27 vjeç dhe po punohet për gjetjen dhe kapjen e tij.
Pas hetimeve intensive të kryera nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, rezulton se shtetasit e lartpërmendur dyshohen se drejtpërdrejt me veprimet e kryera kanë mbështetur me logjistikë dhe armatim, ndjekur, strehuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje.
Pas një pune intensive, ndjekjeje me metodat speciale të hetimit, u bë sigurimi i provave materiale dhe shkencore të cilat çuan në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarje.
Gjatë veprimeve hetimore u bë e mundur sekuestrimi i automjetit i cili është përdorur nga autorët për ndjekjen e viktimës, orientimin e ekzekutorit, kryerjen e vrasjes, djegien e motorrit dhe largimin bashkë me ekzekutorin.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 7 telefona, 17 fishekë të kalibrave të ndryshëm, targa të ndryshme automjetesh shqiptare dhe të huaja dhe dokumenta të ndryshme.
Vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe mbi motivin e kësaj ngjarje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimit dhe mbajtes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 78-25 e 278 të Kodit Penal.
LEXO EDHE:
Foto-Detaje/ Si u vra në pritë Nard Polia, ja kë kishte në makinë