Kalon procesin Vettingun Flora Hajredinaj, gjyqtare e Gjykatës së Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit.
Kujtojmë që gjyqtarja është dhe pjesë e trupit gjykues që ka në dorë gjykimin e dosjes së ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha sot vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtares.
Konfirmimi i gjyqtares u bë edhe pse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime për pasurinë e saj. Më konkretisht, KPK kërkoi shpjegime për mundësitë financiare të gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Flora Hajredinaj dhe vjehrrit të saj për një dhuratë prej 40 mijë eurosh, ndërkohë që në seancë u debatua edhe mbi dy qëndrime të ndryshme të DSIK
Skeda e pasurisë
Gjyqtarja Flora Hajredinaj ka një karrierë prej dy dekadash në sistemin e drejtësisë, ku ka punuar fillimisht si gjyqtare në Dibër dhe prej vitit 2003 në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Me shkrirjen e kësaj gjykate si rrjedhojë e reformës në drejtësi, Hajradinaj kaloi te Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Flora Hajredinaj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.
Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtarja Hajredinaj nuk zotëronte asnjë pasuri, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare e saj kap vlerën e 17.1 milionë lekëve, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej 1.3 milionë lekësh.
Pasuritë e patundshme përbëjnë pjesën kryesore të aseteve me vlerë 13 milionë lekë, kursimet e akumuluara në cash kapin vlerën e 2 milionë lekëve, likujditetet bankare janë 556 lekë, ndërsa familja zotëron edhe një automjet prej 600 mijë lekësh. Gjithashtu, subjekti deklaron huadhënie ndaj të afërmve në vlerën e 1.4 milionë lekëve.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 31 milionë lekë, ku gati 58% burojnë nga paga e Znj.Hajredinaj dhe 13% nga pagat e familjarëve. Dhuratat në cash nga të afërmit zënë 21% të totalit, ndërsa 2% të tjera deklarohen si të ardhura nga qiraja.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit rezultoi pa probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, si “flamuj të kuq” janë identifikuar transaksionet e konsiderueshme me familjarët, të deklaruara si dhurata në cash apo huadhënie.
Gjyqtarja Flora Hajredinaj ka deklaruar dhurata në cash nga të afërmit në vlerën e 6.7 milionë lekëve në total, nga të cilat 40 mijë euro janë dhuruar nga babai i bashkëshortit pas ndarjes së këtij të fundit nga trungu familjar në vitin 2005. Në vitin 2006, kjo shumë shërbeu si burim i pjesshëm për blerjen e një apartamenti me vlerë 81 mijë euro, bashkë me një kredi prej 5 milionë lekësh.
Gjithashtu gjatë viteve të deklarimit, gjyqtarja Hajredinaj se u ka dhënë hua familjarëve në vlerën e 4.1 milionë lekëve, nga të cilat 21,500 euro i janë dhënë vjehrrit në vitin 2008 me shpjegimin “për banesë, pa akt notarial”.
Në vitin 2013, Znj. Hajredinaj shpjegon se kjo shumë ishte shpenzuar nga vjehrri dhe kunetërit për ndërtimin e një shtëpie banimi në Selitë të Tiranës, pjesë e legalizimit të së cilës ishte bërë edhe bashkëshorti i saj. Në bazë të këtij kontributi, gjyqtarja deklaron se ajo dhe bashkëshorti kanë përfituar 1/3 e banesës –ose konkretisht një kat me sipërfaqe 120m2.