Aktualitet

Ishte dënuar përjetë, lirohet nga burgu ish-kreu i bandës së Durrësit, Endrit Dokle








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:25 - 14/01/20 |
mapo.al

Lirohet nga burgu ish-kreu i bandës së Durrësit Endrit Dokle. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm, por teksa ka kryer 3/4 e dënimit, gjykata ka vendosur lirimin e tij. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Krujës me kryesuese gjyqtaren Enkelejda Hoxha. Dokle kërkoi rrëzimin e dënimit të përjetshëm në vitin 2017, por atëherë Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën e tij.


Dokle ishte i vetmi nga anëtarët e bandës së Durrësit i dënuar përjetësisht. Ndërkohë Lulzim Berisha i konsideruar si “truri” i bandës, është liruar me kusht në vitin 2017 dhe aktualisht ndodhet në liri.


Çfarë ndodhi gjatë seancës gjyqësore
Gjykata e Krujës vendosi të lirojë Endrit Doklen, 36 vjeç, me pretendimin se ka kryer 25 vite burg, është sjellë mirë dhe vuan nga probleme shëndetësore. I dënuari i përjetshëm, Indrit Dokle, sipas gjykatës së Krujës, për pesë vitet e ardhshme duhet të qëndrojë në provë nën detyrimin që nuk duhet të shoqërohet me persona problematikë dhe nuk duhet të mbajë armë me vete. Ky verdikt u shpall nga gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha që hedh poshtë burgimin kapital për atë që gjatë një procesi gjyqësor pranë Krimeve të Rënda u konsiderua si rivali i Lulzim Berishës.


Në gjykatë avokatët kanë paraqitur edhe një kontratë punësimi për Endrit Doklen pas daljes nga burgu. Dokumenti i firmosur nga Agim Cako pronar i Mateo Konstruksion parashikon se Dokle do të paguhet me 35 mijë lekë të reja në muaj.


Ndërkohë sipas prokurorisë së Krujës lirimi është kryer në shkelje dhe për vendimin e gjykatës do të ushtrohet ankim në apel brenda afateve ligjore. Sipas vendimit të formës së prerë Endrit Dokle është dënuar për vrasjen e shtetasve Dritan Disha dhe Avni Gashi dhe tentativën e vrasjes së Lulzim Berishës, por edhe për rrëmbim personi, trafikim e mbajtje narkotikësh dhe armëmbajtje pa leje. Gjykata e Lartë ka theksuar se vuajtja e dënimit për Endrit Doklen ka nisur data e ndalimit te tij, me 2 nëntor 2005.


“Banda e Durrësit”
Endrit Dokle, anëtar i “Bandës së Durrësit”, së bashku me 16 persona të tjerë, pjesë e bandës famëkeqe, janë dënuar për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore.

Banda kriminale, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun, funksiononte prej vitit 1994 në qytetin e Durrësit. Sipas Prokurorisë, banda është autore e një sërë vrasjeve të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 e në vazhdim, si vrasja e Dritan Sallakut, më 17 tetor 1998, në qytetin e Durrësit, e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, më 29 tetor 1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit. Ndërsa në vitin 1999, pasi kishin dështuar një vit më parë për vrasjen e Sotirit, i cili ishte plagosur, organizata ndërmori një aksion dhe e ekzekutoi atë më 22 gusht në zonën e Plazhit.

Në vitin 2000, banda akuzohet për vrasjen e Dritan Dishës, më 9 qershor, në fshatin Shenavlash të Durrësit. Ndër vrasje të tjera është edhe e Ervin Lames, më 14 janar 2002, në Lagjen nr. 3 të qytetit të Durrësit. Pas vrasjes së Saliut, organizata që u vendos nën drejtimin e Dokles akuzohet për vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005, në Tiranë. Kufoma e Gashit u hodh në fshatin Romanat të Durrësit.

Ndërsa më 30 tetor 2005, organizata e Endrit Dokles ekzekutoi në Tiranë, pranë stadiumit “Qemal Stafa”, Ilir Koldashin. Për qëllimet e tyre, drejtuesit e “Bandës së Durrësit” përdornin edhe vrasës me pagesë.

Endrit Dokle/ Vrasje, rrëmbim dhe pengmarrje
Endrit Dokle u shpall fajtor për krijim të organizatës kriminale, vrasjen e Dritan Dishës, vrasjen e Erjon Lames, atentatin e dështuar në katër raste kundër Lulzim Berishës, vrasjen e Avni Gashit, rrëmbim dhe pengmarrje. Proces, i cili zgjati pothuajse gjashtë vite solli në gjykatë 194 dëshmitarë. Në total, gjykata shpalli katër burgime të përjetshme të cilat u shkërmoqën nga njëra gjykatë në tjetrën, si edhe 255 vite burgim në total për pjesëtarët e grupit.

Por, ndryshe nga të tjerët kuksiani mori edhe një dënim tjetër prej 18 vitesh pasi ra në rrjetën e përgjimeve teksa drejtonte trafikun e drogës nga paraburgimi 313. Që prej arrestimit të kryer në vitin 2006, Indrit Dokle i provoi të tëra shkallët e gjyqësorit madje edhe kushtetuesen por tek të gjitha humbi, përjashto gjykatën e Krujës që është gjykata që mbulon juridiksionin e burgut ku ai mbahet. Pas lirimit të tij reagoi prokuroria që deklaroi se do ta apelojë vendimin, i cili ngjan me shumë vendime të tjera që kanë hapur dyert e burgjeve për persona që dikur konsideroheshin të rrezikshëm.

LEXO EDHE:

Gjyqtarja e Krujës që po liron “kapo-bandat” e Shqipërisë

Njësoj si Lul Berisha, skema që ndoqi Endrit Dokle për të fituar lirinë


Etiketa: , , ,

Pas