Kryesore

Vendimi/ Studentët kthehen në auditore në qershor, mësim edhe në korrik e gusht





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:05 - 30/04/20 |
mapo.al

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini njoftoi sot vendimin për universiteteve që kanë mbyllur dyert prej datës 9 mars për shkak të përhapjes së koronavirusit.


Kështu studentët që diplomohen këtë vit kthehen në auditore në qershor dhe provimet jepen në korrik. Ndërkohë për studentët e tjerë mësimi rifillon në 25 gusht dhe provimet do të jepen në tetor.


“Vërej një nevojë për të kaluar kohë në auditor para provimeve. Për studentët që kanë nevojë të bëjnë përsëritje para provimeve, apo të tjerë që kanë nevojë për punë laboratorike. Si mund të realizohet kjo? Zv ministri Rrumbullaku ka mbajtur komunikim me rektorët dhe dekanët për të ndjekur ecurinë e mësimit online. Rektorët kanë sjellë edhe propozimet e tyre për mbylljen e vitit akademik. Bazuar mbi këto propozime, ministria nxori sot një urdhër që kërkon nga universitet publike marrjen e disa masave për mbyllje e dfejtë të vitit akademik. Urdhri ka katër elementë kryesorë.


Elementi i parë kërkon që të priotizohet puna me studentët që diplomohen në të gjitha ciklet e studimeve. Duhet të mundësohet kthimi në auditor për përsëritjet për një periudhë 3-4 javore në qershor 2020. Provimet dhe riprovimet për studentët që diplomohen në të gjitha ciklet zhvillohen në muajin korrik dhe javën e parë të gushtit.


Elementi i dytë, i përket të gjithë studentëve të tjerë të viteve të para dhe të ndërmjetme. Të gjitha ciklet që kthehen në auditor në 25 gusht të vitit 2020 për një periudhë 4-5 javore deri në fund të shtatorit.

Ndërkohë, vazhdon më mësimi online dhe mbyllen të gjitha pjesët e lëndëve që mund të kryhen. Provimet dhe riprovimet për këta studentë e para dhe të ndërmjtme, zhvillohen në tetor 2020. Grupimi i tillë është bërë që të sigurohet distancomi social. Universitetet deri në datën 15 maj duhet të përgatisin planin për rikthimin e studentëve në auditore”, tha ministrja Besa Shahini.

Mësimi online do të vijojë edhe përgjatë muajit maj. Të mbyllim këtë vit akademik duke mos iu nënshtruar sfidës së pandemisë“, tha ajo, duke shtuar se universitetet dhe fakultetet do të marrin masa për sigurimin e distancimit social mes studentëve.

Dy ditë më parë Ministria e Arsimit vendosi hapjen e shkollave për një periudhë tre javore vetëm për maturantët, mbajtjen e provimeve të maturës shtetërore në qershor dhe mbylljen e këtij viti shkollor po në qershor. Nxënësit nga klasa e parë në të 11 do të zhvillojnë mësim online deri në fund të majit.

Deklarata e plotë

Të dashur studentë! 

Nga e marta që kemi bërë njoftimin për mbylljen e vitit shkollor kemi marrë qindra, mijëra mesazhe nga ju që me të drejtë kërkoni një orientim të ngjashëm për mbylljen e vitit akademik që të mund të planifikoni edhe punën që po zhvilloni sivjet. Universitetet kanë autonomi akademike dhe riorganizimi i punës në kushtet e pandemisë ishte një detyrë që i takonte universitetit ta realizonte për të gjithë studentët.

Të gjitha universitetet i janë përgjigjur kësaj sfide të re duke kaluar një pjesë të mësimit online. Por, jo të gjitha universitetet janë përgjigjur kësaj sfide në të njëjtën mënyrë, duke marrë parasysh dallimet në infrastrukturë, përgatitjet dhe gatishmërinë e pedagogëve të kalojnë online, si dhe infrastrukturën apo gatishmërinë e studentëve që të punojnë në kushte shtëpie përmes metodave online. Edhe për lëndët të cilat kanë kaluar plotësisht online dhe kanë patur një pjesëmarrje të mirë nga studentët, nga mesazhet tuaja kuptoj se jo gjithmonë e kanë mirëmbajtur të njëjtin standard të punës sikurse e keni në auditorë. 

Nisur nga kjo, vërehet një nevojë për të kaluar kohë në auditorë para provimeve për studentët që kanë nevojë të bëjnë përsëritjet para provimeve apo të tjerët që kanë nevojë të bëjnë punë laboratorike, apo studentët e arteve që kanë nevojë të bëjnë punë në studio të skulpturës, pikturës etj.

Si mund të realizohet kjo në situatën e pandemisë që jemi sot? 

Zëvendësministri Rrumbullaku ka mbajtur një komunikim të rregullt me të gjithë rektorët e universiteteve publike, një pjesë të dekanëve dhe një pjesë të universiteteve private, për të ndjekur ecurinë e mësimit online dhe për të koordinuar gjithë punën që po zhvillohet sivjet. Rektorët kanë sjellë edhe propozimet e tyre për mbylljen e vitit akademik, që siguron barabartësi në qasje në arsim, siguron mbështetje shtesë për studentët që nuk kanë patur kushtet për pjesëmarrje në arsimin online, dhe para së gjithash siguron ruajtjen e shëndetit të studentëve dhe gjithë komunitetit.

Bazuar mbi këto propozime, MASR nxori sot një urdhër që kërkon nga universitetet publike marrjen e disa masave për mbylljen e drejtë dhe të suksesshme të vitit akademik.

Urdhri ka katër elemente kryesorë: Elementi i parë kërkon që të prioritizohet puna me studentët që diplomohen në të gjitha ciklet e studimeve të tyre.

Duke marrë parasysh se mësimi online i ka vendosur në situatë të pabarabartë studentët, duhet të mundësohet kthimi në auditorë për përsëritjet apo edhe seminare dhe laboratorë, për një periudhe 3 apo 4 javore gjatë qershorit 2020.

Provimet dhe riprovimet për studentët që diplomohen në të gjitha ciklet e studimit zhvillohen në muajin korrik dhe javën e parë të gushtit.

Elementi i dytë i përket gjithë studentëve të tjerë të viteve të para dhe të viteve të ndërmjetme, të gjitha cikleve që kthehen në auditorë me 25 gusht të vitit 2020, për një periudhë 3 deri në 5 javore deri në fund të shtatorit, në varësi të nevojave që kanë për përsëritje apo edhe për punë laboratorike. Ndërkohë, vazhdon mësimi online dhe mbyllen të gjitha pjesët e lëndëve që mund të kryhen në kushte shtëpie.

Provimet dhe riprovimet për këta studentë zhvillohen në tetor të vitit 2020. Grupimi i tillë i studentëve është i domosdoshëm që të minimizohet numri i studentëve në auditorë, klasa apo laboratorë, dhe të sigurohen kushtet për higjienizimin dhe pastrimin që është i domosdoshëm në kohën në të cilën po kalojmë, si dhe të sigurohet distancimi social mes studentëve (mes tyre) dhe pedagogëve.

Universitetet publike, sidomos pas dëmeve që ka shkaktuar tërmeti i vitit 2019, punojnë me shumë turne dhe grumbullojnë numër të madh të studentëve në të njëjtën kohë. Kjo nuk mund të ndodhë më në kushtet që jetojmë tani. Rregullorja për sjelljen e studentëve në universitet, hyrje – daljet, mbrojtjen e tyre, distancimin social, lëvizjet nëpër godina, si dhe higjienizimin dhe dezinfektimin e rregullt të ambienteve – kjo rregullore tashmë e hartuar e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë – duhet të zbatohet me përpikëri në rast se hapen gradualisht universitetet dhe kthehemi në qershor nëpër auditorë.

Studentët e viteve të para dhe atyre të ndërmjetme mund të planifikojnë të mos jenë në auditorë deri në fund të gushtit. Unë besoj se ky është një informacion i rëndësishëm për të gjithë juve që banoni me qera apo në konvikte, të mund të planifikoni çështjen e banimit për këtë vit akademik apo edhe tjetrin.
Ju lutem, pyetjet për konviktet, rimbursimin e pagesave që keni bërë në rast se nuk jeni duke qëndruar në konvikt, drejtojini tek stafi i konviktit dhe jo tek MASR, sepse ata ju vijnë në ndihmë për këto pyetje. Nëse nuk gabohem, të gjithë kanë marrë vendim që të bëjnë rimbursim por për detajet se si do të realizohet duhet të kontaktoni me stafin e konviktit.

Elementi i tretë i urdhrit tonë ka të bëjë me më mësimin online, i cili vazhdon deri në përfundim të orëve të parashikuara apo programit të planifikuar. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë po përfundon edhe rregullimet që standardizojnë apo normojnë mësimin online në kushte të Shqipërisë, gjithmonë duke u bazuar në propozimet që po na vijnë nga universitetet dhe modelet më të mira që janë zbatuar këtu.
Ndërkohë, të gjithë studentëve të universiteteve publike u kemi dërguar një sondazh ku pyesim për eksperiencën e tyre gjatë mësimit online. Unë besoj që kjo na jep një informacion më të mirë e më të detajuar për suksesin që ka patur ky proces dhe si mund të përmirësohet në vitin tjetër akademik. Ju lutem, ta plotësoni sondazhin. Është shumë i shkurtër, por neve na ndihmon shumë që të organizojmë punën vitin tjetër akademik. Si gjithmonë, e gjeni në “inbox”-in e adresës tuaj email të universitetit, apo nëse nuk e keni aty, mund të kontrolloni edhe folder-in “spam” që nganjëherë i merr këtë email-et që i çojmë në masë. 

Elementi i katërt i Urdhrit tonë ka të bëjë me përfundimin e vitit akademik, i cili do të zgjatet për rreth 2 javë. Pra, nuk do të zgjatet më shumë se dy javë përfundimi i vitit akademik dhe fillojmë vitin e ri akademik në nëntor të vitit 2020. Këto katër elemente vlejnë për universitetet publike që kanë një densitet më të madh të studentëve dhe nuk kanë arritur të organizojnë mësimin online për të gjithë studentët në të njëjtën mënyrë.

Universitetet private janë disa hapa para me mësimin online dhe kanë shumë më pak studentë, ndaj mund të aplikojnë fleksibilitet në zbatimin e këtij skenari, duke ndjekur oraret e tyre për periudhat e provimeve dhe diplomimit. Por gjithsesi, edhe universitetet private janë të detyruara të ndjekin rregullat për distancimin social dhe higjienizimin e godinave, dhe mund të fillojnë punën vetëm pasi të kemi vendimin për hapje të pjesshme të institucioneve arsimore në qershor. Që e gjithë kjo të funksionojë, deri më datë 15 maj, universitetet, pa përjashtim, duhet të dorëzojnë në MASR planet e tyre të detajuara për kthimin e studentëve në godina për përsëritje apo punë laboratorike, planet e detajuara për organizimin e provimeve, si dhe planet e detajuara për zbatimin e rregullores së higjienizimit. Këto plane duhet të përfshijnë numrin e saktë të studentëve që parashihen të frekuentojnë universitetin në secilin muaj, duke filluar nga qershori, fashat e frekuentimit, si dhe metrat katror në dispozicion për sigurimin e distancimit social.

Të dashur studentë të universiteteve publike! Siç e dini, studimet tuaja subvencionohen nga buxheti i shtetit. Është e tërë shoqëria që paguan për shkollimin tuaj. Me “Paktin për Universitetin” ju keni arritur të përfitoni edhe më shumë nga ky subvencionim. Bursat janë rritur, është shtuar numri i bursave dhe është përgjysmuar më tej pjesa e vogël e tarifës që ju paguani që mënyrë që të lehtësohet sa më shumë barra familjare për studimet tuaja.

Përkundër presionit të madh që rëndon në buxhetin e shtetit, dukë marrë parasysh se sa shumë punonjës të sektorit privat kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë dhe sot përfitojnë pagën e luftës nga ky buxhet, kemi vendosur që të mos ndryshojmë asgjë nga përfitimet e juaja në kuadër të “Paktit për Universitetin”. Mirëqenia juaj është gjëja më e rëndësishme për ne tani, ndaj po bëjmë një sakrificë të madhe për të mirëmbajtur këto benefitet që i keni fituar përmes aktivizmit tuaj.
Ju lutem, të bëni maksimumin nga ana juaj, që bashkërisht të mbyllim këtë vit akademik.

Ta shfrytëzojmë detyrimin që kemi për të bërë mësim online duke rritur në këtë formë edhe kapacitetet tona digjitale, sepse kthim në auditorë të mëdha me shumë studentë ku merret një leksion në mënyrë pasive nuk ka. Të tregojmë edhe një herë që kemi qëndrueshmëri dhe së bashkë do t’ia dalim. Si përfundim, po përsëris edhe njëherë pikat kryesore që përmban Urdhri që nxorëm sot. Studentët që diplomohen në universitetet publike të të gjitha cikleve, planifikohet të kthehen në auditorë nëse është e nevojshme në qershor të vitit 2020.

Provimet e tyre i mbyllin gjatë korrikut dhe javës së parë të gushtit të vitit 2020. Ndërsa të gjithë studentët e tjerë të viteve të para dhe viteve të ndërmjetme, nuk planifikohet të kthehen në auditorë deri më 25 gusht të këtij viti dhe provimet i mbajnë në tetor të këtij viti. Përfundimi i vitit akademik mund të shtyhet vetëm me dy javë dhe mësimi online do të vijojë gjatë gjithë kësaj kohe.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas