Dy vëllezër janë plagosur me thikë në Burrel pas një konflikti për motive të dobëta. Sipas informacioneve paraprake, të plagosur kanë mbetur A.Sh., 25 vjeç dhe A.Sh., 22 vjeç.
Menjëherë pas ngjarjes është bërë i mundur arrestimi i A.N., 28 vjeç ndërsa janë shpallur në kërkim dy të tjerë, L. L., 26 vjeç dhe Xh. M, 24 vjeç, të dy banues në Burrel.
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se i arrestuari dhe dy personat e tjerë të shpallur në kërkim, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë sulmuar me thikë dy vëllezërit pas një konflikti çasti. Të plagosurit mësohet se ndodhen në Spitalin e Burrelit jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i Policisë
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mat, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit: A.N., 28 vjeç, banues në fshatin Shelli, Njësia Administrative Macukull, Bashkia Mat.
Si dhe bënë shpalljen në kërkim policor të shtetasve:
- L., 26 vjeç dhe Xh. M, 24 vjeç, të dy banues në Burrel.
Ky shtetas në bashkëpunim me dy shtetasit e shpallur në kërkim, pas një konflikti për motive të dobëta, në rrugën “Kuvendi i Dukagjinit”, lagjia “Partizani”, Burrel, kanë plagosur me thikë dy vëllezërit A.Sh., 25 vjeç dhe A.Sh., 22 vjeç, banues në Burrel, të cilët ndodhen në Spital jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit për konfliktin që po ndodhte, kanë ndërhyrë menjëherë duke neutralizuar përshkallëzimin e mëtejshëm të konflikit, ku dy prej autorëve kanë mundur të largohen por janë identifikuar dhe shpallur në kërkim.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat për ndjekje të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.