Policia e Divjakes ka proceduar penalisht ish-deputetin e PD-së Ervin Salianjji. Ai akuzohet se ka organizuar protestë të paligjshme.
Bashkë me Salianjin janë proceduar edhe me 5 persona të tjerë, të cilë denoncuan çmimet e ulta dhe abuzimet me fermerët.
Njoftimi i Policisë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë proceduan penalisht shtetasit:
-Ervin Salianji, 32 vjeç, banues në Tiranë, sekretar i Burimeve Njerëzore pranë Partisë Demokratike;
-Marjus Seitaj, 31 vjeç, banues në Berat, këshilltar pranë Partisë Demokratike;
-Julian Gjini, 40 vjeç, banues në Divjakë, kryetar i Partisë Demokratike, dega Divjakë;
-E. H., 39 vjeç, banues në Divjakë, shitës perimesh;
-R. H., 33 vjeç, banues në Divjakë, shitës perimesh;
-A. J., 50 vjeç, banues në Divjakë, fermer;
Ditën e djeshme, shtetasit E. S., M. S. dhe J. Gj., në rolin e organizatorëve, kanë shkuar pranë pikës së grumbullimit të perimeve në fshatin Mizë, Divjakë dhe kanë grumbulluar fermerë dhe banorë të zonës, duke mos zbatuar Aktin Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 i ndryshuar, si dhe ndryshimet e Kodit Penal të nxjerra nga organet shtetërore në gjëndjen aktuale të epidemisë COVID-19.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”, në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur, të cilët po hetohen në gjendje të lirë”.
Salianji
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji zhvilloi një takim me disa fermerë në Lushnjë, të cilët kanë ngritur shqetësimet e tyre, ndërsa akuzojnë qeverinë se ajo i ka braktisur në këtë kohë pandemie. “Bujqësia është sektori që nuk ka marrë asnjë qindarkë ndihmë nga qeveria, megjithëse, në regjistrat e shtetit llogariten si të punësuar rreth 461 mijë persona”, theksoi Ervin Salianji duke denoncuar situatën e vështirë të fermerëve.