Partia Socialiste ka vendosur të mbështesë propozimin e opozitës parlamentare për të hapur listat e kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme.
Ky qëndrim u bë publik nga kryeministri Edi Rama dhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
“Hapjen e listave e duan shumica e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Rama. Kreu i qeverisë tha se hapja e listave nuk prek sistemin zgjedhor dhe as marrëveshjen e dakordësuar me PD dhe LSI mbrëmjen e 5 qershorit.
“Ne kemi vendosur që të mbështesim si PS një hapje të listave dhe t’i japim mundësi çdo zgjedhësi që të zgjedhë preferencën e tij për deputetët. Është një vend që reflekton bindjen se hapja e listave, përkon me dëshirën e një mase shumë të madhe të qytetarëve shqiptarë që shkon përtej një shumice a pakice qeverisëse dhe përtej asaj që dot ishte zgjidhja më e thjeshtë për një parti të madhe.
Në këtë rast dua t’ju jap mesazhin se komoditeti im nuk ka qenë prioritet, por që PS të reflektojnë shoqërinë dhe ambiciet e saj. Ka një sëkëlldi e një përpjekje që kjo gjë të tregohet sikur është një shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit, por fakti është se këtë marrëveshje e kemi realizuar me vullnetin më të mirë edhe duke shkelur me veten, sepse ambicia jone ka qenë depolitizimi i administratës zgjedhore. Nuk ka ndodhur. Pse nuk ka ndodhur? Sepse kundërshtonte PD dhe përderisa vendosmëria jonë ishte që t’i përfshinim në proces e të lehtësonin barrën e frikës dhe të paragjykimeve të PD-së, vendosëm që të bëjmë një lëshim si shumicë, duke shkelur mbi veten.
Me opozitën parlamentare kemi pasur një marrëdhënie shumë të qartë kur kemi thënë se ky proces do të zhvillohet me dy shkallë. Këtu nuk kemi të bëjmë me një ndryshim sistemi. Opozita parlamentare kërkonte me ngulm ndryshim sistemi dhe hapje të listave. Në marrëveshjen e opozitës parlamentare që do të konsiderojmë edhe çështjet e ngritura prej tyre, kemi arritur që të kemi edhe mirëkuptimin për të krijuar konsensus të gjerë në Kuvend për të votuar ligje të rëndësishme që kërkonin shumicë të cilësuar.
Thënë këto, dua të sqaroj pse nuk bëhet fjalë për ndryshim sistemi. Nuk dua ta bëj këtë shpjegim këtë si opinion personal, por duke iu referuar kodit të praktikave të Komisionit të Venecias. Venecia thotë se janë tre elementë të sistemit. Ne kemi një sistem proporcional rajonal dhe ky sistem nuk preket edhe pse nga ana opozitës parlamentare është kërkuar një proporcional kombëtar, që do të thotë ndryshim sistemi. Së dyti, ndryshim i madhësive të zonave zgjedhore nuk preket, se ndryshon sistemi. Së treti KQZ-ja. Kjo preket si rezultat i marrëveshjes së 5 qershorit. Atyre që pretendojnë vitet që duhen për të bërë ndryshime, u them që ky ëhstë një ndryshim esencial, biles më shumë se sa hapja e listave”, tha Rama.
Marrëveshja e 5 qershorit nuk preket tha edhe Taulant Balla.
“Qëndrimi zyrtar i grupit parlamentar të PS është se ne jemi dakord në parim me tre ndryshimet e propozuara. Na rezulton se shqiptarët duan jo vetëm të shprehin një votë për partinë dhe kryetarin e partisë, por edhe një votë parapëlqyese për njërin prej kandidatëve në listën e secilës prej partive që marrin pjesë në zgjedhje. E mbështesim në parim nismën e deputetëve të opozitës parlamentare.Mbështesim një hapje të listave. Gjithçka është dakordësuar në marrëveshjen e 5 qershorit nuk do të preket. Kodin zgjedhor është depozituar në 1 korrik, me 15 korrik komisionin i ligjeve do ti diskutojë, nuk do të preket asnjë prej amendamenteve. Janë dy procese që ecin në mënyrë indipendente nga njëra-tjetra”, deklaroi Balla.
Qëndrimi i PS vjen vetëm një ditë pasi 6 deputetë të opozitës parlamentare deklaruan votën e tyre pro miratimit të Kodit të ri Zgjedhor të dakordësuar në marrëveshjen e 5 qershorit.
Kjo marrëveshje pritet të votohet në datë 23 korrik në Kuvend. Numri i total i votave pro kësaj marrëveshjeje ka shkuar në 85, nga 84 që duhen për miratimin e saj.