TIRANË – Konferenca e Kryetarëve e mbledhur mëngjesin e sotëm, ka vendosur thirrjen e seancës plenare të Kuvendit sot në orën 17:00 dhe jo të enjten. Në seancën e sotme pritet të miratohet struktura dhe buxheti i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë.
Opozita ka paralajmëruar protestë të enjten para Parlamentit, pas vendimit për djegien e mandateve dhe nisjen e një cikli protestash të përjavshme, për të kulmuar me protestën kombëtare të 16 shkurtit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë. Por maxhoranca ka vendosur sërish që të shmangë protestuesit e opozitës duke mbledhur Kuvendin jashtë radhe.
Javën e kaluar kryeparlamenti Gramoz Ruçi anuloi seancën duke deklaruar se kishte të dhëna për dhunë nga protestuesit, edhe pse protesta rezultoi krejtësisht paqësore. Ndërsa këtë javë, maxhoranca ka vendosur ta mbledhë Kuvendin dy ditë para, duke tentuar t’i djegë planin opozitë, por mësohet se pavarësisht vendimit të Kuvendit, protesta do të zhvillohet ashtu siç është paralajmëruar.
Seanca plenare e sotme do të jetë vetëm me deputetët e mazhorancës, pasi opozita e bashkuar shqiptare, PD, LSI dhe aleatët e djathtë, kanë vendosur të djegin mandatet. Deri më tani kundër vendimit të grupeve, kanë dalë deputeti i PD-së, Myslim Murrizi dhe Lefter Koka i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa ende është pezull vendimi i deputetes Rudina Hajdari, e cila ka njoftuar se shumë shpejt do vendosë për mandatin e saj.
/Mapo.al/