Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) është njohur me lajmin e publikuar në shtyp (Media) për ekzistencën e një “skeme mashtrimi” të vënë në jetë nga disa punonjës me përfshirjen e një Banke në transaksionet në fjalë.
Këto akuza të ngritura kundër bankës duhet të konsiderohen si një spekullim i pastër arbitrar, i cili nuk mbështetet nga asnjë provë, është i njëanshëm dhe i parakohshëm.
Sipas informacionit që ne disponojmë, banka ka mohuar fuqishëm të ketë kryer ndonjë veprim të jashtë-ligjshëm, duke lënë prokurorinë të kryejë detyrën që i takon për hetimin e fakteve, dhe gjykatën e rrethit për të gjykuar përfshirjen e mundshme dhe përgjegjësitë e çdo pale të tretë, nëse ka.
Përhapja në publik e këtyre akuzave, qofshin ato pjesërisht apo plotësisht të pavërteta (lajm i rremë), është një praktikë që duhet dënuar me forcë nga të gjithë qytetarët dhe palët e interesit, veçanërisht kur kjo dëmton reputacionin e lartë që sektori bankar shqiptar gëzon në vendin tonë.
Të gjitha bankat anëtare të Shoqatës Shqiptare të Bankave kanë vendosur dhe gjithmonë kanë zbatuar standardet më të larta të etikës në Shqipëri dhe kanë marrë të gjitha masat e arsyeshme për të mbrojtur klientët e tyre dhe për të parandaluar çdo rast mashtrimi.
AAB shpreh mbështetjen e saj ndaj bankës anëtare, beson fuqishëm në paanshmërinë e drejtësisë dhe shpreson që Media do të rishprehë me saktësi të vërtetën.