Policia njofton se ka shoqëruar dy gazetarë pas publikimit të një lajmi, sipas institucioneve i rremë, në portalin “SYRI.net” dhe më pas edhe në disa portale të tjera, se sipas parashikimeve të një sizmologu grek do ketë në orën 23.30 një tërmet të fuqishëm.
Lajmi shkaktoi panik të madh tek qytetarët të cilët braktisën banesat dhe dolën në rrugë. Policia njofton se “Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë shoqëruar gazetarin e portalit “SYRI.net”, Aurel Rakipllari dhe gazetaren e “Shekullit” Daniela Grica, për veprime të mëtejshme, të cilët kanë bërë publikimin e këtij lajmi të rremë, me pasoja paniku te qytetarët”.
“Policia e Shtetit ka ngritur nëj grup të posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të autorësisë së këtij lajmi dashakeq që krijojë frikë e panik tek qytetarët. Policia e Shtetit ju bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e njoftimeve dashakeqe dhe siguron ata se cilido që do përhapë njoftime të tilla do të përballet me forcën e ligjit.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medias që të tregohen më të kujdesshëm në njoftimet që shpërndajnë, duke kërkuar informacion zyrtar para publikimeve të lajme që krijojnë frikë e panik tek qytetarët”, thuhet në njoftim.
Lajmi në portalin syri.net
“Na pushtoi policia”/ Syri.net: Rama po përdor tërmetin për të mbyllur fjalën e lirë
Një lajm me qëllim sensibilizimin që ka qarkulluar në të gjitha portalet dhe tek “Syri” me shkas nga një intervistë në “Top Channel” e një sizmologu grek po përdoret si shkak nga Edi Rama për të mbyllur fjalën e lirë e më konkretisht portalin Syri.net. Në këto momente policia ka zbarkuar te zyrat e “Syrit pas urdhrit të Ramës. Një lajm që në fakt është sqaruar dhe përgenjështruar vetëm nga Syri, dhe jo nga portalet e tjera që e kanë botuar. Lajmi që këshillonte qytetarët të rrinin jashtë nga parashikimi i sizmiologut grek po përdoret si pretekst i Ramës për të mbyllur portalin më të madh në vend dhe më kritik me qeverinë.