Dy deputete të PDIU deklaruan një ditë më parë se largohen nga kjo forcë politike në drejtim të PS-së. Si rregull, largimet të tilla janë të zakonshme jo vetëm në politikën shqiptare.
Sipas drejtorit të gazetës Mapo, Ervis Iljazaj, këto largime nuk janë humbje për PDIU-në.
“Për t’u kthyer te rasti i fundit të largimit të dy deputetëve të PDIU—së, nuk është aspak një humbje për PDIU-në dhe për Shpëtim Idrizin personalisht. Sepse, fakti që vetë Kryetari i asaj Partie, nuk arriti të zgjidhej në Parlamentin e Shqipërisë, por arritën të futen persona të tjerë, është një fenomen jo normal për një parti politike, që nuk arrin dot që linjën e saj në Parlament ta shprehë nëpërmjet atij që e përfaqëson.
Një fenomen i çuditshëm, që vjen si pasojë e tipologjisë së deputetëve të larguar nga PDIU. Tipologji e cila nuk erdhi për shkak se ata përfaqësojnë vlerat e PDIU, por sepse janë individualitete të cilët u vunë në lista për të fituar vota, për fuqinë e tyre elektorale në lokalitete të ndryshme të Shqipërisë.
Për këtë arsye, PDIU, në zgjedhjet e kaluara, edhe pse arriti të kishte zyrtarisht deputetë të saj në Parlament, mori një rezultat të dobët politik. Sepse, nuk u zgjodh Kryetari i saj, sepse, deputetë që u zgjodhën nën logon e saj, tashmë të larguar, nuk kishin asnjë lidhje me historinë dhe filozofinë e PDIU-së.
Kështu që, PDIU dhe Kryetari i saj, dukshëm nuk kishin asnjë kontroll politik mbi to. Prandaj, Shpëtim Idrizi, duhet ta kuptojë që ka gabuar me kandidatura të tilla. Fenomeni me deputetët e PIDU-së së larguar, është rasti tipik kur partitë politike shqiptare, duhet të kuptojnë që, listat nuk bëhen vetëm me njerëz me influencë të zonës dhe që nuk i lidh asgjë me partitë politike që ato kandidojnë, por, me njerëz që politikisht përfaqësojnë vlerat dhe filozofinë e një partie politike.
Por, në të gjithë këtë histori, ka një lajm të mirë për Shpëtim Idrizin. Tashmë, me largimin e këtyre deputetëve, mund të konsiderohet se e ka fituar sërish drejtimin e PDIU-së,” shkruan Iljazaj në editorialin e sotëm.
http://www.mapo.al/me-largimin-e-deputeteve-shpetim-idrizi-e-ka-fituar-serish-partine/