Prokurori Ardian Nezha ka dhënë dorëheqjen. Ai ka bërë kërkesë KLP-së për të lënë titullin “magjistrat” dhe për të dalë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Kjo kërkesë do të shqyrtohet në Këshillin e Lartë të Prokurorisë më datë 1 Prill. Mbetet shumë enigmatik vendimi i Nezhës, për të dalë nga sistemi në moshë të re. Në media spekulohet se ai nuk dëshiron të kalojë vetingun…
Më poshtë kemi analizuar pikat kulmore, ‘ulje-ngritjet’ e tij në karrierë.
Për disa vite, Ardian Nezha ka patur një karriere të suksesshme si prokuror në Krimet e Rënda. Ndër çëshjet e shumta që ka shqyrtuar mbahet mend për çështjen “Dajti”. Nezha është prokurori që lexoi pretencës dhe kërkoi burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin në vitin 2014.
Por, afro 1 vit më pas, në shkurt 2015, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla e transferoi Nezhën nga Krimet e Rënda në rrethin e largët të Pukës. Ai qendroi në “internim” në Pukë për 3 vite. Në janar 2018, kur drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme e mori Arta Marku, e solli Nezhën në Elbasan, me rritje në detyrë, duke e komanduar drejtues të Prokurorisë së Elbasanit. Asokohe, u fol se Marku e Nezha kishin njohje të vjetër dhe normalisht Marku atribuoi besim tek Nezha duke e çuar në qarkun më problematik të vendit, aty ku shumë ngjarje kriminale nuk janë zbardhur kurrë.
Por, Nezha nuk i bëri tre muaj në këtë detyrë të rëndësishme. Në Mars 2018 dha dorëheqjen. Askush nuk tha asnjë fjalë, as vetë Nezha dhe as Prokuroria e Përgjithshme. Në media u aludua se ai ka hapur dosje të zyrtarëve të lartë të këtij qarku.
Pasi u largua nga Elbasani, prokurori Nezha u caktua prokuror i thjeshtë në Tiranë, dhe pas disa muajsh u degdis sërish në Pukë. Tashmë Ardian Nezha kërkon të lërë totalisht punën si prokuror. /MAPO