Partia Socialiste nuk ka ende një pasues që do të zëvendësojë deputeten Rudina Seseri në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo pasi emri që i lind e drejta për të marrë mandatin e deputetit në këtë rast, Gjon Bardhi, nuk ka vendosur ende nëse do të marrë këtë detyrë të re si ligjvënës apo do të mbajë mandatin e kreut të Bashkisë së Fushë-Krujës, ku u zgjodh vetëm pak muaj më parë. Lidhur me këtë çështje, kryetari aktual i Bashkisë së Fushë-Krujës, Gjon Bardhi, i kontaktuar nga gazeta “MAPO” ka deklaruar se vendimin përfundimtar për mundësinë e kalimit nga posti aktual i kryetarit të Bashkisë në atë të deputetit, do ta marrë pasi të konsultohet me mbështetësit e tij në bazë. “Vendimi përfundimtar do të vijë pas një konsultimi që do të realizoj me mbështetësit dhe qytetarët e Bashkisë sime”, – tha kryebashkiaku i Fushë-Krujës, Gjon Bardhi, megjithëse nuk ka ngurruar të shfaqë hapur dëshirën për të nisur një karrierë si ligjvënës për të qenë më afër edhe politikës qendrore. Nuk dihet ende se cili do jetë edhe vendimi i selisë rozë, e cila në këtë rast do të preferonte që Seseri të zëvendësohej si deputete nga një emër tjetër që pason listën e kandidatëve të qarkut të Durrësit, pas Gjon Bardhit, për shkak se dorëzimi prej tij i mandatit të kryetarit të Bashkisë së Fushë-Krujës do të bënte që në këtë njësi vendore të zhvilloheshin përsëri zgjedhjet dhe fitorja sërish e socialistëve në të do të ishte një mision tepër i vështirë. Vlen të theksohet këtu se Gjon Bardhi arriti ta fitojë këtë bashki pas gati 8 vitesh drejtim nga demokratët, çka pas zgjedhjeve të 8 majit u konsiderua nga drejtuesit socialistë si një fitore në bastionin e demokratëve. Por hezitimi i Gjon Bardhit për të marrë një vendim për këtë çështje duket se ka bllokuar edhe veprimin e KQZ-së, pasi ajo nuk mund t’i japë mandatin e deputetit atij pa dorëzuar më parë mandatin e kryetarit të Bashkisë. Nga ana tjetër, ish-deputetja e PS-së në letrën e saj drejtuar kryesocialistit Rama dhe kryeparlamentares Topalli, ka argumentuar dorëheqjen, e cila sipas saj, vjen për shkak të angazhimeve të mëdha personale që ajo do të ndërmarrë. Duke theksuar më tej se në këto kushte, ajo e ka të pamundur të përmbushë përgjegjësinë e saj të detyrës së deputetes.