Pak më parë u përfol se Cristiano Ronaldo kishte kërkuar disa lojtarë specifikë në ekipin e Juventusin, lojtarë që mund të bashkëpunonin mirë me të për të fituar Champions League. Zërat ishin për Marcelon, por mesa duket Zidane nuk e ka lejuar brazilianin të largohet nga Madridi.
Tani po përflitet se Ronaldo ka bërë propozim apo “kërkesë” për trajnerin e ri të Juventusit, pas largimit të Allegrit. Sipas “Libero”, “La Gazzetta dello Sport” dhe “Tv Luna” Ronaldo i kërkoi drejtuesve të Juventusit t’i afrohen Ancelottit.
Në rast të një akordi me torinezët, Ancelotti do të stërviste për herë të dytë skuadrën e Juventusit. Më parë, ai u ul në stolin e bardhezinjve nga shkurti 1999 deri në verën e vitit 2001.
Megjithatë, ajo që e bën thuajse të pamundur akordin me të është fakti se ai firmosi me Napolin këtë sezon. Me napoletanët ka një kontratë deri në qershor 2021.