Një vendim surprizë ishte ky i largimit të tranjerit Walter Mazzarri nga stoli i Interit. Ndonëse zikaltërit nuk janë paraqitur mirë këtë sezon në Serie A, tekniku italian dukej se kishte mbështetjen e presidentit Erick Thohir. Megjithatë, gjërat kanë qenë ndryshe dhe sot klubi milanez ka konfirmuar se Walter Mazzarri nuk do të jetë më në stolin e skuadrës.
Zëvendësuesi i Mazzarrit është italiani tjetër, Roberto Mancini. Tekniku 49 vjeçar është rikthyer tek Interi 6 vjet pas largimit nga stoli zikaltër. Emërimi i Mancinit si tranjer nuk është surprizuese pasi ishte e qartë se në rast të largimit të Mazzarrit do të ishte ish-tranjeri i Galatasaray-t ai që do të rikthehej.
Madje Mancini është parë edhe në shkallët e stadiumit Giuseppe Meazza gjatë ndeshjeve të fundit që Inter ka zhvilluar.
Mancini e ka drejtuar Interin gjatë viteve 2004-2008 dhe ka mundur të fitojë 7 kupa midis tyre 3 herë kampionatin e Serie A. Italiani ka firmosur një kontratë 2 vjet e gjysmë me klubin zikaltër.
Pritet të shihet nëse Mancini është njeriu i duhur që do ta kthejë Interin në lavdinë e epokës së Mourinhos dhe sfida e tij e parë është derbi që ai do të zhvillojë më 23 nëntor kundër Milanit.