Neymar është bërë “mollë sherri” te PSG, por jo vetëm. Duke qenë se e ka deklaruar veten në largim nga “Pace des Princes”, Barcelona dhe Real Madridi janë futur në një garë të ethshme për shërbimet e tij. Përfliten shifra marramendëse, që kërkohen nga sheikët e Katarit për brazilianin, si dhe emra lojtarësh të tjerë, për t’i përfshirë në ndonjë marrëveshje të mundshme. Megjithatë, duket se krejt kjo luftë bëhet për një futbollist të dëmtuar, që ende nuk është në gjendje të luajë.
“Le Parisien” e ka hedhur këtë “bombë” ditën e sotme, që duket se do t’i bëjë të interesuarit të revizionojnë vetveten. Gazeta në fjalë, shumë pranë klubit kampion të Francës, i referohet ish-drejtorit të shërbimeve mjekësore të PSG në lidhje me dëmtimin e Neymar. Doktor Eric Rolland ka identifikuar brishtësi në këmbën e djathtë të brazilianit dhe se ekziston rreziku i rikthimit të dëmtimit, nëse Neymar kthehet për të luajtur.
Lëndimi në “metatarso” e pestë të këmbës së tij të djathtë tashmë i ka dhënë më shumë dhimbje koke Neymarit gjatë karrierës së tij te PSG. Së pari, ky dëmtim i ndodhi në shkurt 2018, më pas në janar 2019. Në të dyja rastet, iu desh të humbiste disa ndeshje të rëndësishme me ekipin francez. Sidoqoftë, lëndimi i fundit në miqësoren Brazil-Katar dukej si një “gërvishtje”, por koha e rikuperimit të brazilianit ka krijuar polemika te shërbimet mjekësore.
“Le Parisien” citon dr. Eric Rolland, i cili këtë verë është larguar nga posti i drejtorit të shërbimeve mjekësore të PSG: “Këmba e Neymar është shumë e brishtë dhe rreziku i rikthimit të dëmtimit të “metatarso” e pestë është shumë i mundshëm”. Nëse kjo do të ndodhte, Neymar do të kthehej mbas disa muaj, do të përfundonte përsëri në “bokse”. E gjitha kjo ndodh kur Barcelona po përpiqet të firmosë me të. Nga ana e tij, braziliani është ndarë nga grupi që stërvit trajneri Tuchel dhe nuk ka marrë pjesë në premierën e kampionatit të ri me PSG./telesport.al/