Sinjalet që vijnë nga Amerika për ringjalljen e tezave socialiste duken shqetësuese. Por të tilla sinjale po vijnë edhe nga Gjermania. Kevin Kuehnert, drejtues i organizatës së të rinjve të Partisë Socialdemokrate tha në një intervistë se duhet bërë kolektivizimi, se kompanitë e mëdha si BMW duhet të shtetëzohen, dhe se në vend duhet të sundojë socializmi demokratik. Askush nuk duhet të ketë më shumë se një banesë, tha ai
Nga Peter Tiede, BILD
Kevin Kuehnert është aq i vjetër sa koha që kur në Gjermani u shua përfundimisht komunizmi: thuajse 30 vjet. Kështu që ata nuk e kanë takuar kurrë njëri-tjetrin drejtpërdrejt. Kur Kuehnert nisi të ecë, Gjermania ishte bashkuar sërish, Republika Demokratike e Gjermanisë ishte ‘varrosur’ në librat e historisë nga qytetarët e saj si një gabim historik 40-vjeçar. Revolucioni ndodhi në mënyrë paqësore.
Por mesa duket hiri i lindjes së vonë nuk ka qenë i dobishëm për djaloshin e frontit berlinez. Ajo që ëndërron tani kreu i Social Demokratëve të Rinj kur flet për shpronësim, për shtetëzim të BMW-së dhe për politikat e strehimit (çdokush duhet të ketë aq prona sa i duhen për të banuar vetë), do i kishte bërë të lumtur udhëheqësit e Gjermanisë komuniste, Honecker, Krenz dhe kompani.
Por populli i tyre nuk ishte kurrë i lumtur. Shumica e 17 milionë banorëve të Gjermanisë Demokratike kanë vuajtur pasojat dhe mungesën e lirisë.
Kuehnert duhet të kthehet pas në kohë dhe të shihte se çfarë ishte socializmi: çnjerëzor, një eksperiment i tmerrshëm mbi njerëzit e gjallë- një makth për të gjithë ata që duhej të merrnin pjesë me detyrim.
Në fund fare, socializmi ishte plotësisht i falimentuar, duke u mbështetur tek miliardat e Perëndimit, që e konsideronin armik të klasave. Por rrënimi ishte edhe moral. Në vend që të ngriheshin nga rrënojat, siç ishte premtuar në himnin e tyre kombëtar, ata u mbytën në rrënojat e tyre. Të vrarët mbi mur, të burgosurit politikë, shpronësimet masive.
Prona e tyre e vetme: kolektivizmi masiv dhe social, ajo që ëndërron të bëjë tani Kuehnert me shtëpitë dhe korporatat. Liria ishte një fjalë e huaj në socializmin e vërtetë dhe fjala ‘borgjez’ ishte një fyerje dhe një arsye për të humbur punën e për të përfunduar në burg.
Eksodi bëri që miliona njerëz të largohen nga vendi. Miliona të tjerë nuk ia dolën dot pasi udhëheqësit socialistë i mbyllën ata pas mureve dhe telave me gjemba. Një vend ku shteti urdhëronte të qëllohej kundër qytetarëve të tij.
Por tashmë Kuehnert është shtrirë në llogore dhe ëndërron për luftën e re të klasave gjatë takimeve me shokët e tij- në kongreset e socializmit.
Mund të thuhet se kjo është një marri e një politikani të ri. Por Kuehnert është tashmë i rritur pasi është 30 vjeç dhe nuk është i vetëm me idetë e tij në krahun e majtë të SPD. Së bashku me shoqe të tjera si Manuela Schwesig janë përgjegjës për hartimin e një modeli të ri shoqëror. Prandaj duhet të druhemi se Kuehnert nuk është diçka që e re.
Mesa duket, Social Demokratët e kanë një problem me komunizmin.
Kushdo që pranon se diktatura komuniste, socializmi që nga Gjermania e deri në Vladivostok, me të gjithë viktimat reale dhe miliona të vdekur, ka qenë një gabim ose një ‘socializëm’ i rremë, që ia vlen të ketë një përpjekje të vërtetë, nuk duhet të habitet nga këto ëndrra të pasardhësve të socializmit. Kevin Kuehnert është një pasojë logjike.
Shkëlqyeshëm, shtetëzoheni, do bëhet si ZIS sovietik, zavod imjeni stalina.