Editorial

Leadership








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:28 - 23/05/20 |
Mapo.al

Leadership, tha dje ambasadorja e SHBA në Tiranë, për Lulzim Bashën, teksa kryetari i PD, hodhi një sasi uji të ftohtë mbi debatin e nxehtë dhe të papritur për ndryshimin e Reformës në Drejtësi, dhe shprehu me vendosmëri, se prioriteti i opozitës është reforma zgjedhore, pra vota e lirë dhe e ndershme.


Një prioritet në fakt, edhe i vendit. Nga shumë drama që ka ky truall, më e dhimbshmja është se 30 vite pas pluralizmit, ende nuk kemi garantuar shprehjen e lirë të vullnetit të qytetarëve. Pra s’kemi ende fondamentin e demokracisë. Te ky deformim lindin gjithë mutacionet që çojnë në plagë e gangrenizime të krejt jetës politike, shoqërore dhe ekonomike.


Qëndrimi i dy ditëve të fundit, dëshmon një koherencë. Leadership, i cilësuar nga përfaqësuesja e SHBA, vështirë të jetë një kompliment i ditës, si servirja e një çaji. Është një orientim, pasi politika jonë, me Teatrin, dhe me çështjet e tjera, duket se për një moment ishte gati ta ndryshonte agjendën, dhe të kalonte në përparësi të tjera andralla duke lënë në hije reformën zgjedhore.


Kur, Yuri Kim tha se uron që edhe të tjerë liderë të shkojnë në këtë drejtim, si Lulzim Basha, ajo padyshim nuk e kishte fjalën për Kujtim Gjuzin. Çdo vëzhgues i saktë i politikës, e kupton se e kishte këtë porosi, për shefin e mazhorancës. E kishte për Edi Ramën, i cili në replikat e shpeshta që pati dje me Presidentin, u shpreh se ishte i gatshëm të ulej në tryezë, e të vendoste pikat mbi i, për Reformën në Drejtësi, në shqip dhe anglisht.


Kryeministri është një lëvrues i mirë i fjalës, dhe e di si dreqi, se kur shkruan, “pikat mbi i”, je duke thënë se një punë është lënë përgjysmë, është e paplotësuar. Pa, ose me dashje, Rama ka pranuar se është gati të negociojë drejtësinë.

Dhe këtu është strehuar automatikisht në prapaskenë, siç e cilësuan dy ditë më parë Kim dhe Soreca.

Reforma në Drejtësi ka një mijë probleme. Dhe mbi të gjitha, ajo nuk po ngroh zemrat e atyre që prisnin prej organeve të reja, luftë me zjarr ndaj korrupsionit. Dhe ta luftonin saktësisht në këtë mot, kur rilindja shpie deri në fund çdo trill të sajin, çdo aferë, çdo koncesion. Në ndryshim nga udhëheqësit e tjerë, Lulzim Basha del i pashqetësuar se kush do të hetojë kë, dhe me sa duket, autorët e pazareve me troje, tendera, apo PPP, kanë nevojë të vendosin pikat mbi i.

Kanë si djegie në stomak. Por, emergjenca e vërtetë, e paneglizhueshme, që nuk mund të shtyhet më asnjë minutë për vendin tonë, janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Krimi elektoral, manipulimi, blerja e votës, shantazhimi i qytetarëve, kanë krijuar shtresën e madhe të akullit që mban të ngrirë Shqipërinë. Vetëm një votë e pakontestueshme, do të rriste shanset për daljen nga kriza, për ngjalljen e besimit, për nxitjen e energjive për të ecur përpara, e sidomos, do të hapte portat për integrimin europian.

Çdokush që mendon se është momenti për të bërë tryeza për të vënë pika mbi i, tani, në këtë moment, kur zgjedhjet e vendosin fatin e vendit, me siguri ka pika për të vënë mbi hallin e vet. Një hall që e zgjidh, duke mbajtur sa më larg zgjedhjet e lira.


Etiketa: ,

Pas