Ish-gjyqtari shqiptar i Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku iu drejtua me një fjalim qytetarëve të mbledhur në protestën e thirrur nga presidenti Ilir Meta. Ai tha se debati mes mazhorancës dhe presidentit kërkon interpretim kushtetutes, por ngriti shqetësimin se pa Gjykatë Kushtetuese, vendi rrezikon të shkojë drejt autoritarizmit.
“Arsyeja e parë është mbrojtja e Kushtetutës. nuk jam për të vendosur nëse në dabetin mes presidentit dhe mazhorancës ka të drejta njëra apo tjetra. Ky është një debat interpretimi kushtetues, por jam këtu për të mbrojtur Kushtetutën. Pa Gjykatë Kushtetuese të pavarur nuk kemi më forcën e ligjit që vepron, por ligjin e forcës. Në një vend ku as presidenti nuk ka mundësi që pretendimet t’ia paraqesë një organi të pavarur, imagjino se çfarë mundësie ka qytetari.
Dua të citoj kryetarin e Gjykatës së Strasburgut që thotë se pushteti i pakufizuar i shumica çon në autoritarizëm. A mund të kemi shtet të së drejtës në Shqipëri në këto situata? Në këtë situatë absurdi kushtetues ku nuk ka gjykata që të interpretojnë. Aktet e qeverisë nuk kontrollohen nga askush. Pa gjykata liritë vdesin. Dua t’iu uroj zoti ju bekoftë, liria është me ju, drejtësia është me ju”, u shpreh Bianku.