Edhe pse opozita sot nuk organizoi protestë para Parlamentit, siç ndodhi herët e kaluara, sërish mbështetësit e PD kanë qenë përreth ndërtesës. Një grup anëtarësh të FRPD, “mbushën” ambientet jashtë parlamentit me “trakte” kundër deputetëve që tradhtuan Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Shtatë prej tyre u betuan sot në Kuvend, duke zënë vend në karriget e parlamentarëve.
Në vend të protestës, PD ka menduar të ironizojë “tradhtarët”. Të rinjtë e FRPD-së kanë vendosur në hyrje të Parlamentit disa parulla kundër Lefter Maliqit dhe Ligoraq Karamelos, të cilit ia kanë deformuar emrin në “Langaraq”. Ironia të rinjve ka shkuar deri aty sa që në rastin e Maliqit e kanë shpallur si një ftesë në dasmë me Kryeministrin Edi Rama.