Aktualitet

Legalizimi i 24 ndërtimeve në bregdet, urdhër-arreste për 5 zyrtarë të Sarandës





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:36 - 28/10/14 |
mapo.al

Dy ish-drejtues të ALUIZNI-t dhe 3 specialistë akuzohen për shkelje të ligjit në legalizimin e objekteve. Gjykata firmos urdhër-arrestet për ta. Hetimi nisi pas raportit të KLSH-së, që kishte konstatuar shkelje ligjore


prangaGjykata e Sarandës ka urdhëruar arrestimin e të paktën pesë zyrtarëve të Agjencisë së Legalizimeve, përfshi edhe dy ish-drejtuesit në Sarandë e Vlorë. Pas një hetimi të Prokurorisë së Sarandës është konstatuar se ish-drejtuesit e ALUIZNI-t dhe punonjës të tjerë të kësaj agjencie kanë abuzuar me detyrën, duke dhënë leje legalizimi për objekte të ndërtuara në zona ku ligji i ndalon ndërtimet. Bëhet fjalë për të paktën 24 raste legalizimesh kryesisht të objekteve me aktivitet ekonomik, të cilat sipas prokurorisë janë ndërtuar në vijën bregdetare të Ksamilit apo edhe në zona arkeologjike e muzeale, vende këto, ku sipas ligjit nuk lejohen ndërtimet e aq më pak të legalizohen ndërtimet e paligjshme. Pas dyshimeve për abuzime me detyrën, prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtorin e ALUIZNI-t, Vlorë, Roland Tafilaj, ish-drejtori ALUIZNI-t të Sarandës, Vesel Koçiu, përgjegjësin e sektorit të Legalizimit, Laert Cane dhe përgjegjësin e sektorit të Hartografisë në ALUIZNI-n e Sarandës, Feti Deromenaj. Për përgjegjësen tjetër në sektorin e Hartografisë, shtetasen Manjola Nikollo, Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Shtetasi Roland Tafilaj, për të cilin Gjykata e Sarandës ka pranuar kërkesën e prokurorisë për “arrest me burg”, është dënuar pak javë më parë nga Gjykata e Vlorës për të akuzën e shpërdorimit të detyrës me 1 vit e gjysmë burgim. Hetimet për zyrtarët e Agjencisë së Legalizimeve Sarandë nisën pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili kishte evidentuar disa raste abuzive të dhënieve të lejeve të legalizimit. “Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit e akuzuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhënë leje legalizimi për një numër të lartë ndërtimesh dhe shtesa ndërtimesh, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Deri në këtë fazë të hetimit, prokuroria ka evidentuar të paktën 24 raste të lejes së legalizimit për objekte shërbimi (lokale dhe hoteleri) në Ksamil, të cilat janë ngritur në vijën bregdetare ose pranë saj, si edhe në zona arkeologjike, muzeale e turistike. Pra, në zona ku është totalisht e palejuar të ndërtohet dhe, rrjedhimisht, as të legalizohen”, thanë burime të prokurorisë. Sipas akuzës mësohet se Komuna Ksamil ka vënë në dispozicion të grupit të auditit të KLSH-së listën e objekteve të ndërtuara përgjatë vijës bregdetare, në zonën e mbrojtur Ksamil. Në këtë listë evidentohen rreth 32 objekte të ndërtuara në zonën e mbrojtur, të cilat janë në proces legalizimi, ku 17 prej tyre janë objekte të legalizuara, praktikat e të cilave janë administruar nga ana e prokurorisë. Në këto kushte, prokuroria ka vendosur kryerjen e ekspertimit topografik me qëllim përcaktimin nëse objektet e ndërtuara në zonën e Ksamilit janë ndërtuar në brezin mbrojtës bregdetar të parashikuar në Planin Urbanistik Rregullues të Komunës Ksamil, i cili nuk lejon ndërtime në një distancë prej 100 metra nga vija bregdetare. “Sipas Aktit të Ekspertimit Topografik të administruar, ekspertët kanë arritur në konkluzionin se: nga këqyrja e dokumentacionit të dosjeve dhe konkretisht e gentplaneve për pasuritë përkatëse, si dhe të Planit Urbanistik Rregullues të komunës Ksamil, të miratuar me vendim të KRRTRSH-së Nr.4 datë 18.12.2004, rezulton se këto objekte janë më pak se 100 metra nga vija e detit”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Nga hetimi i prokurorisë është evidentuar edhe një tjetër rast për legalizimin në shtesën e një objekti prej pesë katesh. “Sipërfaqja e parcelës ndërtimore është 273 m2, ndërsa sipërfaqja e ndërtimit është 220 m2. Objekti në fjalë rezulton me sipërfaqe shtesë mbi lejen e ndërtimit në secilin kat, duke patur zgjerim të objektit të ndërtuar me leje ndërtimi. Ky objekt, sipas Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës Sarandë rezulton në zonë arkeologjike dhe ndërtimi fillestar është i pajisur me leje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, ndërsa për shtesën e sipërfaqes së ndërtimit nuk është kërkuar apo marrë leje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës”, thotë prokuroria.


Të arrestuar:


Roland Tafilaj, ish-drejtori rajonal i ALUIZNI-t, Vlorë


Vesel Koçiu, ish-drejtor i degës së ALUIZNI-t, Sarandë

Laert Cane, përgjegjës i Sektorit të Legalizimit;

Feti Deromenaj, përgjegjës i Sektorit të Hartografisë

“Arrest në shtëpi”

Manjola Nikollo, përgjegjëse e Sektorit të Hartografisë



Pas