Mapo Letrare

Legjenda e dasmorit të çuditshëm (tregim )














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:05 - 26/06/21 |
Mark Simoni

Kulla e tij ishte majë një shkrepi, bash në malin më të artë. Dhe varej mbi humnerën dhe honet e lugjeve. E kishte më afër qiellin se sa tokën. Madje shpesh atij i kujtohej ai fëmija i vogël, që në një mort e pati pyetur:






-Ti, a e ke pa dhe taku Zotin?


Kulla kishte përpara një oborr të vogël me gardhin e bërë me dru pishe të kuqe, ndërsa mbrapa mbështetej një lëndinë sa për të zënë robt a gjint e një dasme a morti.







Kishte disa netë që burri qe i shqetësuar dhe kastërgjim. Medeomos i duhej të ndante ditën e dasmës së djalit të vetëm. I kandej shumë ta kishte në pranverë. Atëherë çelnin lulet, vinin zogjtë, shkrinte dëbora, hovte gjaku. Grave u binte fytyrave një pashi dhe bukuri e pashoqe, dhe trupat e tyre, si asnjëherë tjetër,zinin fëmijë e mbarseshin për bukuri.



Netëve, ai dëgjonte se si humnerave dhe lugjeve, përrojeve atje poshtë, shpateve të maleve shkepej bora, që merrte përpara, pisha dhe gurë, lëndina të vogla, e stane, dhe i hidhte në fund të botës. Dëgjonte lukuninë e ujqërve që klithnin nga uria, me zërat e tyre të zvangur e tërë trishtim. Diku anash honeve silleshin me revan kuajtë e egjër, që iknin tërë zhurmë e trok, prej frikës së ujqërve dhe hijeve të natës. Ai e njihte për mrekulli gjuhën e natyrës, dhe si domos dimrin. I kuptonte edhe kur përrenj të tërbuar derdheshin në lumenjtë e ngushtë të maleve, edhe kur kafshë të dala mendsh dhe me sy të kuq, mbërrinin deri te gardhi dhe ziti i tij.



Pikërisht, nga këto jehona e zhurma, britma e klithje, ai burrë e ndiente se sa i gjatë do të ishte dimri, dhe sa vonë do dilte pranvera. Krejt i trishtuar, gjithë ankthe vendosi: Në fillim të pranverës do të bëhej dasma, do të thërriste njerëz deri atje ku do të mund mbërrinin kuajt e lajmëtarit. Si lajmës nuk donte të kishte njeri tjetër, madje as nuk i besonte kujt, përveç se djalit të vet, që në dasëm do të qe edhe dhëndërr.

Gjashtë gratë e kullës i prenë tesha dhe petka të reja lajmësit, i mashtuan kuajt që do të shtegtonin nën atë botë me mjegulla, grih e me dëborë, plot e përplot me makthe. Mangores së tij të re i vunë pulla e koca me ngjyra, secili ndrysh prej njëri tjetrit. Të kuq, të verdhë, jeshil, bojë alle, si ngjyrat e stinëve. Dhe mbasi e gatitën, i varën në hejbet dhe torbat e kujave, paguret dhe mataret e vogla me ujë e sheqer.

Qe zakon që, kur lajmësi mbërrinte te shtëpia e tjetrit dhe e thërriste për dasëm, i jepte në dorë paguren me ujë e sheqer, shallapajkën e ëmbël, dhe nëse tjetri e ngrinte një gëllenjkë, ai tregonte se e pati pranuar ftesën për dasëm.

Djali u nis. Suferina dhe shqota, shira të rrëmbyer dhe dëbora të akullta, mjegulla qorre, përrenj e lukuni ujqërish i silleshin përrreth. Erëra të forta ia sukullonin mushamajt, dhe kuajtë përherë e më tepër po i luanin mendsh. Shtëpitë qenë dy tri net larg njëra tjetrës. Përpara i dilnin djaj e fantazma flakësh, dhe më shumë se çdo gjë ia trembnin karvanin që shpërndahej e humbte luginave dhe honeve.
Kishte marrë gjashtë kuaj të mirë, që sidoqë të ndodhte dhe t’i bëheshin dëm njëri pas tjetrit, të mund t’i mbetej së paku një kalë, sa të mbërrinte dhe te kulla e fundit, që patjetër se qe larg e në qosh të botës.

Male të egjër, kroje të ngrira dhe ortiqe që zhbinin tokë e pyll, shpella të zeza (ku gojëve të tyre klithte era dhe shqota), ndonjë vetmitar mbi kalë, mbështjellë aq tepër sa nuk dallohej nëse qe gjallë apo kishte vdekur, kuajtë kafshuar brinjësh a të verbuar, që iknin me tërbim andej nga nuk e dinin as vetë. Pastaj përsëri ulurimat e lukunisë së ujqërve që ia trandnin karvanin.

Të tridhjetë ditët qenë njësoj mbuluar me thëllim, dëbora të ashpra dhe mjegulla të dendura, që mbërrinin deri para këmbëve të kuajve. Shpesh anash dëgjonte të rrëzoheshin dhe të binin atje poshtë rrënoja shtëpishë të vjetra, ndonjë tufë kuajsh, klithje kafshësh të mjera që shkonin bashkë me zërin duke u shuar deri sa mbërrinin në përrenjt e luginave.

Pas tërë atij udhëtimi, po kthehej. Edhe pak e do të mbërrinte në shtëpi. Qe fillikat,mbi kalin e vetëm që i pati mbetur. Mushamajtë qenë shkyer e laskarue, rrobat vjetëruar dhe grisur vende vende, hejbet e ushqimeve paten ikur bashkë me kuajt poshtë humnerave, paguret e ujit me sheqer, i kishte hedhur mbasi qenë boshatisur të gjitha. I pati mbetur vetëm njëra, me pak shallapajkë në fund.

E ngriti një gëllënkë dhe qeshi. Iu bë se po e ftonin dhe atë në dasëm, dhe me atë hurth lëngu po pranonte të vinte. Tashmë thuajse pati mbërritur. Po kalonte mespërmes vorrnajave të vjetra të fshatit që s’qe larg kullës. E tundi dhe një here paguren dhe dëgjoi se atje brenda u llokoqit pak shallapajkë, por nuk e ktheu. E hodhi ashtu ndër vorre, dhe i dha kalit me të shpejtë, që të mbërrinte akoma pa rënë nata.

Pranvera doli bash ditën e dasmës. Jo vetëm oborri dhe livadhi mbrapa kullës, por dhe tri bashtina jeshile u mbushën me dasmorë që vinin prej ngamos. Lagje e lagje njerëzish mbërrinin prej përtej malesh e malesh. Prej humnerash e honesh, dhe deri atje lart në shkrep, vinte aroma dehëse e pishave dhe pemëve që po çelnin, vinte zhurma e ujrave të shkrirë prej dëborës që iknin me rropamë larg.
Burri vështronte se si njerëzit zinin vend dhe iu mbushën sytë me lot nga gëzimi. Kur ra qetësia, ai i përshëndeti dhe i falenderoi të gjithë. Pastaj mori prapa vetes të gjithë robt e kullës, dhe shkoi të trokte me çdo dasmorë tasin e pijes me verë të kuqe alle. Pyeste dhe përshëndetej me gjithësecilin.

Dikund, andej nga livadhi i tretë i erdhi rradha të përshëndetej me dikënd që iu bë se nuk e njihte. Tjetri u ngrit në këmbë dhe e uroj me fjalët më të bukura për djalin dhe dasmën, pastaj i tha se e kishte marrë malli të shihte kaq njerëz dhe të ishte në një dasëm pas kaq e kaq vitesh.

Miku u zu pak ngusht dhe tasi i drurit me verë iu drodh në dorë, kur dalloi se i zoti i shtëpisë nuk po e njihte.

-Vetë më ke ftue, o burri i dheut. E kam pi shallapajkën me ujë e sheqer atje ndër vorre. U ngrita dhe erdha për të të nderue.

Djalit iu kujtua pagurja e fundit me atë pak lëng që e hodhi ndër vorret e vjetra. Iu afrua shpejt supit të atit dhe ia tha në zë këtë gjë. I zoti i shtëpisë u ndal pak, u përmall dhe e rroku të ftuarin, si dhe me gjithë force i uroi mirëseardhjen.

Pastaj të dy i trokën aq fort tasat me verë, sa ato ushtuan lugjeve e honeve, përrojeve e humnerave, deri larg, në fund të botës, deri atje ku kishte mbërritur pranvera dhe dëgjohej muzika e dasmës.

(SHENIM; Ky tregim u botua sot, ne gazeten LIBERALE. Faleminderit Suela Bala per kujdesin dhe vemendjen ndaj letersise sime, dhe per punen e mrekullueshme qe beni ne te mire te letersise)

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas